Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Trefishohet numri i nxënësve duhanpirës në Kosovë

duhan

Përdorimi i duhanit dhe produkteve të nikotinës tek të rinjtë në Kosovë, është rritur brenda më pak se një dekade. Të dhënat e fundit tregojnë se mbi 23 për qind e nxënësve të moshës 13 deri në 15 vjeç konsumojnë duhan, ndërsa ekspertët kërkojnë masa më të ashpra për mbrojtjen e të rinjve.

Për gati trefish është numri i nxënësve duhanpirës në Kosovë brenda më pak se një dekade, kanë treguar të dhënat e Vlerësimit Global për Monitorimin e Përdorimit të Duhanit te të Rinjtë. Bazuar në to, duhanpirja te nxënësit ka arritur në 23.5 për qind në vitin 2025, nga 8.8 për qind sa ishte në vitin 2016.

Hulumtimi i realizuar mes nxënësish të moshës 13-15 vjeç, u prezantua në një aktivitet të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH) në prag të Ditës Botërore pa Duhan.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas specialistes së mjekësisë sociale në IKSHPK, Merita Berisha, në këtë rritje kanë ndikuar produktet e reja të nikotinës dhe vakumi ligjor.

“Kemi një rritje të përqindjes së nxënësve, të cilët aktualisht përdorin produkte të duhanit çfarëdolloji dhe po e shihni që rritja më e madhe ka qenë prej vitit 2016 deri 2025, për shkak se janë lajmëru edhe shumë forma të tjera të duhanit, të cilat qysh e dëgjuat edhe prej parafolësve, industritë e ndryshme i përdorin vakumet ligjore dhe ato në forma të ndryshme i reklamojnë dhe i bëjnë më afër të qasshme për nxënësit edhe për të rinjtë”, ka thënë Berisha.

Sipas saj, brengosëse mbetet edhe rënia e përqindjes së nxënësve duhanpirës aktualë që dëshirojnë ta lënë duhanin.

Përfaqësues në Kosovë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thonë se industria e duhanit po i targeton të rinjtë përmes formave të ndryshme të produkteve të nikotinës.

“Jo vetëm që janë të dëmshme, por edhe ndikojnë si faktor i lartë i rrezikut për të gjitha sëmundjet, të cilat veç sot i njeh njerëzimi. Industria e duhanit çdoherë gjen mënyra të ndryshme dhe strategji të ndryshme për të arritur deri te të rinj, për shkak se aty është caku më i lehtë dhe mandej vazhdohet tutje, ku krijohet ajo varshmëria e dëmshme, e cila krijohet me dëmtimet e të gjitha qelizave, duke përfshi edhe qelizat e trurit”, ka thënë Isme Humolli, udhëheqëse e Zyrës së OBSH-së në Kosovë.

E drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku, tha se industria e duhanit po i josh të rinjtë me idenë e një stili modern jetese.

“Nuk ka asgjë moderne as atraktive në një varësi, e cila më vonë shkakton mungesë frymëmarrje, sëmundje kronike, paaftësie mund të shkaktojë edhe vdekje të parakohshme. Prandaj mesazhi ynë sot është i qartë: Shëndeti i të rinjve është dhe mbetet mbi interesat e industrisë së duhanit”, ka thënë Baraku.

Në aktivitet munguan fjalimet e përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, ndonëse fjalimet e tyre ishin paraparë në agjendë.

E, përfaqësues të Qendrës për Avokim dhe Zhvillim vlerësuan se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për parandalimin e përdorimit të duhanit tek të rinjtë.

“Kjo duhet të ngrejë alarmin tek të gjitha institucionet, sidomos tek Ministria e Shëndetësisë, që të lëvizin sa më parë me masat, të cilat janë provuar që janë efikase për të ulur konsumin e duhanit dhe të produkteve të nikotinës dhe për të shtyrë sa më shpejt aprovimin e këtij ligji, por edhe të mos hezitojë në përfshirjen e këtyre masave të rekomanduara siç është kufizimi i shitjes së këtyre produkteve vetëm në dyqane të specializuara, si dhe zbatimin efektiv të masave për përdorimin e duhanit në vende publike, rritja e taksave, e vendosja e pakove të standardizuara në produktet e duhanit e të tjera”, ka thënë Shkumbin Spahija, drejtor i Qendrës për Avokim dhe Zhvillim.

Para shpërndarjes së Kuvendit, ndodhej në proces plotësim-ndryshimi i Ligjit për kontrollin e duhanit, por tash procesi duhet të nisë nga fillimi.

Nga shoqëria civile kanë theksuar se nga ndryshimet ligjore që ishin në proces, ishte pranuar vetëm rekomandimi për ndalimin e shijeve dhe aromave për cigaret elektronike, por jo edhe kufizimi i shitjes së tyre.