Ai ka thënë se nga përmbytja i ngordhën rreth 12 mijë pula, në fermat e të cilave pati investuar për 12 vjet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Dëmi është 470 mijë euro dhe ky është dëm në vija të trasha, pa hyrë në detaje të dëmeve të tjera që janë shkaktuar aty. Por ky është dëmi, biznesi ka falimentuar. Unë tash jam punësuar pas asaj në një vend pune edhe me rrogën që e marrë, gjysmën e rrogës e paguaj në përmbarim. Do të thotë kreditë që i kam pasur të biznesit mundohem t’i paguaj me rrogën që e marr”, ka thënë Geci.
Geci ka thënë se edhe familjarë të tij ende paguajnë ratat e kredive, në të cilat hyjnë për ta ngritur fermën.
E, ndonëse dëmi nga vërshimet ndodhi tre vjet më parë, ai ka thënë se nuk është kompensuar.
“Krejt politikanët kanë qenë në vizitë përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti. Ai bile më patë premtuar personalisht dhe më ka thënë që ti s’ke me qenë vetëm këtu, ke me e pas mbështetjen tonë edhe shumë shpejt ke me e kthye në gjendjen që e ke pas, me mbështetjen tonë. Prej asaj ditë e deri më sot përveç atyre premtimeve të kota asnjë send, asnjë cent, as kurrgjë”, ka thënë Geci.
Vërshimet e 19 janarit të 2023-s patën shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturë rrugore në disa komuna, përfshirë Skenderajn, Mitrovicën e Jugut, Klinën, Istogun dhe Pejën, qytet ku nga përmbytja humbën jetën dy persona.
Në total, dëmet janë vlerësuar në rreth 34 milionë euro, por kompensimi i plotë i tyre ende nuk është realizuar.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka fajësuar qeverinë për mungesën e kompensimit. Ai ka thënë se vonesa ka edhe një impakt.
“Nëse kompensohen tash vlera e kompensimit dhe vlera e euros... në vitin 2023 ka pasur vlerë tjetër, e tash ka vlerë tjetër për shkak të inflacionit. Për këtë arsye, niveli qendror duke e parë që për shkak të kushteve klimatike po kemi vërshime më shpesh se sa që ka ndodhur viteve dhe dekadave të kaluara, duhet të adaptojë edhe legjislacionin në fuqi sa u përket fenomeneve natyrore”, ka thënë Ibrahimi.
KOHA ka dërguar pyetje në Qeveri lidhur me procesin e kompensimeve, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fund të vitit 2023, ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se janë mbështetur 1.905 familje, prej tyre 620 për vërshimet e shtatorit 2022 dhe 1.285 për vërshimet e janarit 2023.
Ditë më parë u bë e ditur se vetëm nga përmbytjet e fillimvitit të sivjetmë janë shkaktuar dëme në vlerë prej rreth 5.7 milionë eurosh në disa komuna. Sipas Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve, shifra mund të rritet pasi ende të gjitha komunat s’i kanë dërguar të dhënat. Ekonomitë familjare mbeten sektori më i goditur, ndërsa Gjakova, Skenderaj dhe Drenasi renditen ndër komunat më të prekura. E Ibrahimi ka shprehur shqetësimin se edhe ky proces i kompensimit mund të zgjasë me vite, duke iu referuar përvojës së rasteve të 2023-s.