“Trafiku Urban” ka thënë se ndonëse të enjten në Kuvendin Komunal të Prishtinës është votuar për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024 në vitin 2025, ka shtuar se funksionimin normal mund ta rifillojë vetëm pas bartjes së mjeteve.
“Trafiku Urban” ka thënë se nuk ka mundësi financiare t’i shlyejë obligimet ndaj furnitorëve.
“Megjithëse sot Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, duhet theksuar qartë se këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore. Deri në realizimin e këtij hapi, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal”, ka shtuar “Trafiku Urban”.
Nga ndërmarrja është bërë thirrje te institucionet përgjegjësie t’i përshpejtojnë procedurat e transferimit.
“Trafiku Urban” ka thënë se punëtorët do të protestojnë deri në bartjen e mjeteve e rifillimin e operimit.
“Për këtë arsye e shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik. Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve, dhe për sa kohë mbetet e pamundur të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë. Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë”, ka thënë “Trafiku Urban”.
Po ashtu ka thënë se biletat mujore të paguara nga qytetarët, do të kompensohen për aq ditë sa nuk ka qenë e mundur të shfrytëzohen.