Arbëri

Trajtimi i lëndëve në “Gjykatën e tenderëve” - 16 veta për 1 mijë e 200 ankesa

Me një numër aktivitetesh është mbyllur “Javës Kundër Korrupsionit”. Kjo u bë nga përfaqësues të shoqërisë civile e institucioneve të pavarura, nëpërmjet instalacioneve vizuale, prezantimit të raporteve dhe tryezave të diskutimit. Edhe në ditën e fundit u fol për nevojën e ndërgjegjësimit dhe rritjen e kapaciteteve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar

Nëpërmjet katër instalacioneve tematike, organizatat joqeveritare IKD, FOL dhe INPO kanë paraqitur ndikimin që korrupsioni dhe krimi i organizuar ka në jetën e përditshme të qytetarëve. Në to shfaqen situata që lidhen me shërbimet publike, funksionimin e institucioneve dhe pasojat që prekin qytetarët.
Në ditën përmbyllëse të Javës Kundër Korrupsionit, hulumtuesja ligjore e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se aktiviteti synon të tregojë në mënyrë vizuale koston reale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë probleme abstrakte. Ato prekin familjet tona, shëndetin tonë, të ardhmen e brezave të rinj, të drejtën tonë për shërbime të ndershme dhe për një shtet funksional. Dhe për t’i luftuar, së pari duhet t’i kuptojmë dhe t’i shohim pasojat e tyre në realitetin e përditshëm”, ka thënë Rezniqi. 

Gjatë ditës u prezantua edhe raporti rreth pavarësisë dhe efektivitetit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, që njihet si gjykatë e tenderëve.

Hulumtuesi në Iniciativën për Progres (INPO), Arbër Kabashi, tha se në këtë institucion ka mungesë ekspertësh shqyrtues.

“Në bazë të analizës duke pasur parasysh numrin e ankesave në OSHP rezulton që nga 1 mijë e 219 lëndë, një ekspert, për me zgjidh një ankesë i duhen 10 ditë duke pasur parasysh numrin e lëndëve. Ne me 16 ekspertë e shohim të pamundur me pasur një efikasitet të lartë nga OSHP, sepse numri i ankesave është i madh kurse i ekspertëve është i vogël”, ka theksuar Kabashi.

Ndërsa, Albulena Nrecaj, drejtore ekzekutive në INPO ka kritikuar mospërfshirjen e përfaqësuesve politikë dhe zyrtarëve publik në diskutimet rreth raportit të përgatitur nga kjo organizatë. 

“INPO e ka përgatitur këtë raport me synim që ta njoftojë edhe politikën, apo zyrtarët publikë të këtij shteti të cilët nuk e kanë parë të rrugës, apo të arsyeshme të na bashkohen në këtë tryezë. Të paraparë kanë qenë edhe ish-deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar që kanë mbikëqyrë OSHP-në por asnjëri nuk ka gjetur kohën dhe nuk e kanë vlerësuar rëndësinë e kësaj tryeze”, ka thënë Nrecaj.

Edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Forumin Konsultativ me Shoqërinë Civile, ka mbyllur “Javën e Integritetit”, nëpërmjet një tryeze ku u diskutua për rëndësinë e sinjalizuesit në sektorin publik dhe privat. 

Drejtori i agjencisë, Yll Buleshkaj, tha se sinjalizimi në të dy sektorët ndihmon në parandalimin e korrupsionit.

“Nëse shikojmë procesin tonë të integrimit, parandalimi i korrupsionit është vazhdimisht në krye të agjendës. Dhe pse? Sepse vetë Bashkimi Evropian bazohet në vlera të përbashkëta: besim, transparencë dhe sundim të ligjit. Sinjalizuesi është mbrojtësi praktik i këtyre vlerave. Sinjalizuesi, apo siç e njohim ne, ‘whistleblower’, nuk është thjesht një detektiv; ai është një dëshmitar i guximshëm që shfrytëzon të drejtën ligjore për të mbrojtur interesin kolektiv”, ka deklaruar Buleshkaj.

Udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim në APK, Milot Shala, ka kërkuar që sektori privat të merr shembull nga sektori publik për caktimin e një zyrtari që merret me sinjalizuesit. 

“Po besoj që sektori privat duhet ta marrë shembull sektorin publik, të paktën për krijimin e këtyre kanaleve. Fillimisht të krijohet një zyrtar e pastaj mund të pritet që do të ketë raste prej tyre. Si funksion, ka pasur vështirësi fillimisht: ka pasur hezitim për caktim, mandej dilema se kë duhet caktuar, dhe ka qenë sfidë edhe në sektorin publik”, ka theksuar ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kërkuar mirëkuptim sa u përket sinjalizuesve në sektorin privat.

“Jemi një shtet në zhvillim e sipër të bizneseve dhe riorganizimit të bizneseve. Oda Ekonomike, si më e vjetra që tani do të festojë 64-vjetorin, gjithmonë ka qenë në krah të bizneseve për t’i mbështetur ato, për t’i plotësuar standardet dhe për të krijuar standarde dhe kjo nuk do të arrihej pa punën e sinjalizuesve, qoftë në sektorin publik apo privat”, ka thënë Rafuna.

“Java kundër Korrupsionit 2025” ka nisur të hënën, nëpërmjet një greve, një veprim simbolik i organizuar nga IKD-ja, Lëvizja FOL dhe INPO, me qëllim të ngritjes së zërit kundër korrupsionit.