Arbëri

Topalli: Ishim të përgatitur për ta shtruar çështjen e Republikës kurdo që na jepej mundësia

Faton Topalli

Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, profesori dhe ish-veprimtari i ilegales Faton Topalli ka folur për rolin e organizatës ku bënte pjesë në zhvillimet politike para dhe gjatë demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

Topalli theksoi se ndonëse organizata ku ishte pjesë kishte diskutuar më herët nevojën për të kërkuar Republikën si projekt shtetëror për shqiptarët në ish-Jugosllavi, ajo nuk qëndronte drejtpërdrejt prapa shpërthimit të protestës së 11 marsit 1981.

“Ne e kemi diskutuar këtë çështje më herët brenda partisë dhe kemi thënë: kudo që shfaqet mundësia për ta shtruar kërkesën për Republikë, duhet bërë çmos për ta artikuluar”, u shpreh Topalli.

Sipas tij, protesta e 11 marsit ishte kryesisht shpërthim spontan, i nxitur nga pakënaqësitë sociale të studentëve, veçanërisht për kushtet e ushqimit në mensën studentore.

“Edhe 11 marsi ka një organizim të caktum, por nuk ka lidhje me ne. Kanë qenë tri grupe të ndryshme që kanë luajtur rol në atë periudhë, pa koordinim të ndërsjellë”, ka thënë Topalli, duke përmendur emra si Kadri Kryeziu, Bajram Kosumi, Gani Vllana dhe Alil Lajçi.

Ai theksoi se grupet ishin të pavarura, pa lidhje me organizatën e tij, as në planin organizativ e as në atë ideologjik, por përkonte me një klimë të përgjithshme pakënaqësie dhe gatishmërie për ndryshim.

Në këtë mënyrë, Topalli bëri një dallim të qartë mes angazhimit të organizuar politik për çështjen e Republikës dhe lëvizjes spontane studentore që e shpërfaqi këtë kërkesë në mënyrë të pavarur.
 

Lexo përditësimet tjera
Faton Topalli

Faton Topalli në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 23-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është Faton Topalli,...