Arbëri

Themelorja refuzon pezullimin e vendimit për shtrenjtimin e rrymës

ZRRE

Foto: Driton Paçarada

Avokati Ardian Bajraktari ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar masën e sigurisë ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Përfaqësuesi i grupit “Asnjë cent më shumë” ka bërë të ditur se tash do të ankohet në Apel ndaj këtij vendimi.

“Kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet kërkesa për sigurimin e Padisë tonë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Tashmë, gati është Ankesa për Gjykatën e Apelit ndaj këtij Aktvendimi. Beteja ligjore kundër vendimit të ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon!” ka shkruar ai në Facebook.

Grupi “Asnjë cent më shumë” pati paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji lidhur me vendimin e tij, me të cilin është shtrenjtuar energjia elektrike për 16.1 për qind. Nëpërmjet padisë kërkohej anulimi i vendimit, pasi që është vlerësuar se ai është i kundërligjshëm. Pos padisë kundër shtrenjtimit, ky grup ka kërkuar edhe pezullim të vendimit të ZRRE-së. E kjo pikë është ajo që u refuzua.

Avokati i Popullit pati kërkuar ditë më parë nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të pezullojë vendimin për shtrenjtimin e rrymës deri në përfundim të hetimeve mbi ankesat e shumta të qytetarëve, të cilat i ka pranuar ky institucion.

Sipas Avokatit të Popullit, vendimi për rritjen e tarifave është marrë në kohën kur ka boshllëk institucional.

ZRRE-ja më 16 prill ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Këtë e ka bërë me gjithë protestat e organizuara dhe thirrjet e adresuara nga qytetarët për të mos e ngritur çmimin e energjisë.

Ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, mundësinë për ngritjen e një padie të veçantë e kanë paralajmëruar edhe përfaqësues të bizneseve.

Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi që nga 1 maji. Tarifa e lartë për konsumatorët shtëpiakë, të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, është rritur nga 7.79 centë në 9.05 centë për kilovat, ndërsa ajo e ulët nga 3.34 centë, është bërë 3.88 centë për kilovat.

Ditë më parë, në disa furra është shtrenjtuar çmimi i bukës teksa shtrenjtim ka pasur edhe për kafenë në disa kafene. Është paralajmëruar gjithashtu se shtrenjtimi do të ndodhë përsëri nga muaji maj, pasi që shtrenjtimi i rrymës të hyjë në fuqi.