Është themeluar grupi punues i cili do të merret me shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra dhe mjedis.
Vendimi pason kërkesën e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, që lëshimi i lejeve ujore për hidrocentrale të bëhet përmes koncesionit, ashtu siç kërkohet me Ligjin për ujëra.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Si ministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ditë më parë, bëra kërkesë për vendosjen e masave në lidhje me aplikimet për fitimin e së drejtës ujore me koncesion dhe vendosjen e rendit në procesin e aplikimit në përputhje të plotë me kërkesat dhe procedurat sipas Ligjit nr. 04/L-147 për ujëra. Kjo kërkesë tanimë është në zbatim. Sot kam marrë vendim për themelimin e grupit punues për shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra e mjedis. Ky komision do të shqyrtojë vendimet e marra në lidhje me hidrocentralet deri më datë 30 qershor të vitit 2021. Komisioni në bashkëpunim me institucionet tjera që lidhen me fushën e ujërave do të përgatisë raport me rekomandime brenda afatit të përcaktuar”, ka njoftuar Aliu të premten në Facebook.
Ndërkohë, në vendimin, të cilin e ka siguruar KOHA, bëhet e ditur edhe përbërja e këtij grupi punues.
Shiqeri Dermaku nga Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave është kryesues, ndërsa anëtarë janë Manduha Gojani dhe Naser Afizi - Departamenti i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, Ismajl Hetemaj - Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave, Xhemail Metolli - Departamenti për Planifikim, Ndërtim dhe Banim, Ali Sefaj - AMMK, Tringa Gjikolli - Inspektorati, Demir Hyseni - Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Fisnike Kelmendi - Departamenti Ligjor.
