Seanca e së premtes e Kuvendit Komunal të Gjilanit është ndërprerë pas tensioneve të shumta ndërmjet përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare, të cilat kulmuan me një incident që për pak sa nuk përfundoi në përleshje fizike.
Nga pamjet e publikuara nga seanca shihet se situata eskaloi gjatë bllokimit të punimeve, kur drejtori komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Kushtrim Ibrahimi, e shtyu me dorë asamblistin e Partisë Demokratike të Kosovës, Burhan Isufi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërplasjet nisën pasi shumica qeverisëse nuk e përfshiu në rend të ditës kërkesën e opozitës për raportimin e punës njëvjeçare të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për vitin 2025.
Sipas partive opozitare, shtyrja e këtij raportimi është e pajustifikueshme, pasi muajin e ardhshëm pritet të prezantohet raporti gjashtëmujor i punës për vitin 2026.
Pavarësisht kundërshtimeve, shumica e udhëhequr nga Vetëvendosje e miratoi rendin e ditës pa përfshirjen e kësaj pike.
Pas votimit, asamblisti i PDK-së, Bujar Nevzati, bllokoi foltoren e Kuvendit, duke kërkuar ndërprerjen e seancës. Atij iu bashkuan edhe asamblistë të tjerë të PDK-së dhe të LDK-së, të cilët penguan vazhdimin e punimeve.
Gjatë tensioneve, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, u bëri thirrje asamblistëve që të lejonin vazhdimin e seancës.
“E kemi vendosur në rend dite, s’është miratuar. Uluni. Pse jam një grua dhe një femër këtu, po jeni katër burra, turp le t’ju vijë. Mos me na lejuar të punojmë, fjalën e lirë e kemi, turp për ju”, dëgjohet të thotë ajo në seancë.
Latifi-Kqiku ftoi shefat e grupeve kuvendore në një takim për të gjetur një zgjidhje, por ata refuzuan të marrin pjesë, duke vazhduar bllokimin deri në ndërprerjen e plotë të seancës.
Lidhur me zhvillimet reagoi edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili përmes një postimi në Facebook i cilësoi veprimet e opozitës si “uzurpim të institucionit” dhe pengim me dhunë të punës së Kuvendit Komunal.
“Tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skena ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, kryesueses së Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi-Kqiku, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën”, ka shkruar Hyseni.
Ai shtoi se qytetarët e Gjilanit nuk i kanë zgjedhur për bllokada dhe tensione, por për të marrë vendime dhe për t’u shërbyer atyre.