Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Kohë, fjalë, ëndrra” harmonizohen në kor si lojë e jetës dinamike

Me program sfidues, Kori i FIlharmonisë së Kosovës denjësisht e ka përmbyllur sezonin me koncertin “Kohë, fjalë, ëndrra” në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (Foto: Arben Llapashtica)

Me program sfidues, Kori i FIlharmonisë së Kosovës denjësisht e ka përmbyllur sezonin me koncertin “Kohë, fjalë, ëndrra” në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (Foto: Arben Llapashtica)

“Kohë, fjalë, ëndrra” – siç është titulluar koncerti me të cilin Kori i Filharmonisë së Kosovës ka përmbyllur sezonin – ka sjellë një udhëtim ku ngjyrimi muzikor përshkon krejt fjalët e zgjedhura për ta formuar titullin. Dirigjenti Hajrullah Syla ka thënë se programi ndjek logjikën e jetës dinamike ku bashkohen koha, fjalët e ëndrrat. Kori në koncert i ka bashkuar krejt këto duke përshkruar një kohë ku të tria temat kryqëzohen dhe çojnë krye në raport me njëra-tjetrën. Një kapitull i veçantë ka qenë edhe vepra e Rafet Rudit

Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, kur kurohet për një koncert kamertal, ose në rastin e fundit për atë të Korit të Filharmonisë së Kosovës, bëhet prej hapësirave më të pranueshme në kryeqytetin që s’ka një strehë me kushte normale për muzikë. Kori i Filharmonisë së Kosovës ka zgjedhur që koncertin e fundit të sezonit ta mbajë në këtë ambient, pak më intim se hapësirat ku interpretojnë zakonisht. “Kohë, fjalë, ëndrra”, siç është titulluar koncerti, për të pranishmit ka sjellë një udhëtim ku ngjyrimi muzikor përshkon krejt fjalët e zgjedhura për të formuar titullin.

Ka nisur me “Time” nga Jennifer Lucy Cook. S’është prej veprave që kërkon ndonjë përgatitje vokale të lartë, por e trajton kohën si koncept universal. Ritmi i qetë dhe reflektues, përsëritja e ndryshimet dinamike krijojnë njëfarë atmosfere të meditimit, theksohet ideja e ciklit të kohës e luhet me intensitetin e emocioneve. Ka një mesazh për mosndaljen e kohës dhe njeriun që përpëlitet ta marrë vesh këtë. E tashmja, e kaluara dhe e ardhmja janë shtyllat nëpërmjet të cilave koristët e drejtuar nga Hajrullah Syla kanë interpretuar duke iu bashkuar konceptit të Lucy Cook.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Menjëherë pas veprës që kërkon ndërgjegjësim për kohën që ikën, formacioni koral është marrë me ëndrrat. Dhe jo çfarëdo ëndrrash. Por me ëndrra dhe dëshirën e njeriut për të kapërcyer kufijtë. Pra me ëndrrat e Leonardo da Vincit. Kompozuar nga Eric Whitacre dhe me tekst të Charles Anthony Silvestri, “Leonardo Dreams of His Flying Machine” është një vepër e fuqishme korale që ndërthur muzikën moderne me historinë dhe imagjinatën. Torturat që kanë përshkuar gjeniun Da Vinci, shkaku i ëndrrave të tij, edhe për të fluturuar, vepra i paraqet si luftë të brendshme. Da Vinci është simbol i ëndrrës dhe inovacionit njerëzor. Vepra që kërkon efekte vokale të cilat imitojnë tinguj mekanikë, harmonia që krijon ndjesi tensioni e ritmi me ndryshime të shpejta janë njëfarë testi edhe për Korin. Ndjesia e veprës është dërguar te publiku me goxha elegancë, megjithatë, ata që kanë çaluar.

Pas ëndrrave është kaluar te fjalët nëpërmjet veprës “Words” të kompozitorit suedez Anders Edenroth. Zërat që imitojnë mënyra të ndryshme të të folurit në këtë vepër vijnë në mënyrë kreative duke gjallëruar të folurën që është e pranishme kudo. Krijimi që është njëfarë homazhi për zërin njerëzor dhe komunikimin jep leksion se fjalët janë mjete të rëndësishme për t’u shprehur. E si këngë veçse i shtohet fuqia e mesazhit.

Nga kjo vepër Kori është kthyer në “a cappella” me “Jubilate Deo”, vepër e kompozitorit japonez Ko Matsushita. Me bazë biblike, vepra qysh në titull bën thirrje që njerëzit t’i gëzohen dhe ta lavdërojnë Zotin. Gëzimi shpirtëror, besimi, përkushtimi e uniteti i njerëzve në adhurim në këtë vepër vijnë si festë jo si diçka obliguese. Mjeshtëria e kompozitorit e bën këtë kompozim sfidues, por njëkohësisht i jep njëfarë komunikimi diskret me publikun. Sikur ka diçka mistike në të.

Ka nisur me “Time” nga Jennifer Lucy Cook. S’është prej veprave që kërkon ndonjë përgatitje vokale të lartë, por e trajton kohën si koncept universal (Foto: Arben Llapashtica)

Krejt veprat muzikore kërkojnë harmoni e ekuilibër, por “Canon in B” e Vasil Toles sikur e ka fokus këtë. Është një vepër që përdor teknikën klasike të kanonit për të krijuar një muzikë të pasur dhe harmonike. Përmes ndërthurjes së zërave dhe strukturës së rregullt, ajo përcjell një ndjenjë ekuilibri e bashkëpunimi. Një zë fillon, tjetri e imiton dhe kështu krijohet një strukturë e ndërthurur harmonike. Vepra e kompozitorit shqiptar në koncertin e Korit i ka paraprirë një tjetër vepre shqiptare. Asaj të Rafet Rudit, “Concerto Fantasy”. Këtu ndërrohet loja goxha. Solisti në violinë i bashkohet Korit dhe krijohet një përshtypje e muzikës minimaliste. Por shkon përtej. Rudi – prej mjeshtërve kryesorë të kompozimit e dirigjimit në vend – gërsheton motive që prekin shekujt e mesjetës për të dalë te muzika arbëreshe e ajo tradicionale shqipe. Vepra më e gjatë e këtij koncerti kërkon virtuozitet e koncentrim të madh. I është dedikuar violinistes Sihana Badivuku. E kësaj radhe, sikurse herën e kaluar në Gjermani, solist ka qenë student i saj, tash violinist në Filharmoninë e Kosovës, Festim Fanaj.

Siç ka sqaruar edhe vetë kompozitori, për nga gjinia është jo e zakonshme dhe shumë e rrallë në literaturën violinistike. Rudi ka sqaruar se vepra në planin harmonik ka primesa të muzikës minimaliste, ndonëse ka një heterogjenitet stilistik. Vjen si fantazi në kuadër të ciklit të “Afresk Arbëresh” që bazohet në këndimet tradicionale liturgjike të arbëreshëve të Italisë. Siç sqaron Rudi, trekëndëshi i muzikës liturgjike arbëreshe, asaj të Kukuzelit e muzika tradicionale shqipe janë shtrati mbi të cilat ndërtohet bota tingullore e kësaj vepre. Kori i është përgjigjur goxha kësaj vepre. E po ashtu edhe violinisti i cili jo rrallë është edhe koncertmjeshtër në Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Muzika e Rudit do një koncentrim të madh nga ansambli por po ashtu edhe nga publiku. Me Kaltrina Miftarin dhe Riza Lahajn si solistë, publiku ka pasur mundësinë që të përjetojë këtë rrugëtim muzikor ku detajet shoshitin histori të këtyre anëve e deri tek arbëreshët.

Në “Concerto Fantasy” të Rafet Rudit ndërrohet loja goxha. Solisti në violinë i bashkohet Korit dhe krijohet një përshtypje e muzikës minimaliste. Por shkon përtej (Foto: Arben Llapashtica)

“Unë e uroj solistin, Festimin dhe dirigjentin Hajrullahun. Më pëlqeu përgjithësisht interpretimi. Është interpretuar shumë herë kjo vepër. Është interesante, çdo interpret ndryshe e percepton, i jep një bukuri tjetër. Edhe kësaj radhe ndodhi kështu. Natyrisht e falënderoj dirigjentin dhe solistin”, ka thënë kompozitori Rafet Rudi. Sa i përket koncertit në përgjithësi, ai ka thënë se i ka lënë përshtypje të mirë.

“Përshtypje të mirë më la para së gjithash konceptimi i programit. Ky është Kor profesional dhe nuk duhet të shkohet vetëm me vepra atraktive dhe të lehta, por të preket një literaturë që i ka hije një ansambli profesional. Vepra e Eric Whitacre dhe Ko Matsushita mua më pëlqyen. Natyrisht vepra ime për nga dimensionet është më e madhe dhe përgjithësisht në këtë drejtim unë e uroj dirigjentin dhe mendoj se në këtë ngarkesë jashtëzakonisht të madhe të kësaj sezone, që është e suksesshme, më vjen mirë që Kori me program ‘a cappella’ e arriti këtë nivel që kishte sot”, ka thënë ai.

Solisti Festim Fanaj ka thënë se është i privilegjuar dhe krenar që kanë arritur të përgatisin veprën e profesor Rudit.

“Është një vepër vërtet shumë solistike. Ka shpirt, muzikalitet dhe melos shqip. Në të njëjtën kohë gërshetohet me virtuozitet të një violinisti. Pra aq mirë është e kompozuar, saqë kur e kam marrë ftesën nga drejtori Dardan Selimaj, nuk kam hezituar, por nuk e kisha dëgjuar më herët. Kur nisa ta analizoj dhe punoj, ajo më bëri për vete. Dashurohesh me të edhe pse është shumë e vështirë”, ka thënë Fanaj. Sipas tij, kjo vepër kërkon përgatitje edhe mendore jo vetëm teknike, pasi në disa momente ka mundësi që koncentrimi të zbehet dhe s’mund të çohet deri në fund. “Kërkon koncentrim, fuqi mendore e muzikale”, ka thënë ai.

E dirigjenti Hajrulla Syla programin e ka përshkruar si mjaft të vështirë e me kërkesa të mëdha në interpretim.

“Besoj që publiku e priti mjaft mirë. Unë jam i kënaqur me këtë koncert pavarësisht kohës së shkurtër për përgatitje. Besoj që Kori e ka mbyllur edhe këtë sezon me dinjitet ashtu siç jemi mësuar ta shohim Korin në skenë”, ka thënë ai. Sa i përket programit, Syla ka treguar se mban një logjikë të jetës dinamike që jetohet sot ku bashkohen koha, fjalët e ëndrrat. Kori në koncert i ka bashkuar krejt këto duke përshkruar një kohë ku të tria temat kryqëzohen dhe çojnë krye në raport me njëra-tjetrën.