Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën.
Sipas njoftimit, kjo situate vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore. Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut. Konkretisht, sipas IHMK-së, një presion i lartë atmosferik i vendosur në pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut ka krijuar kushte për rrjedhën e një mase ajrore subtropikale kontinentale nga shkretëtira e Saharasë drejt gadishullit Ballkanik.
Sipas njoftimit, ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.
Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohemi nga rrezet direkte të diellit, moshat e shtyra, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuara.
Të hënën do të mbajë mot me diell. Temperaturat minimale do të jenë 13-16 gradë celsius, kurse maksimalet 33-38 gradë celsius.
Të martën do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vende-vende priten riga të shiut me rrufe gjatë ditës. Temperaturat minimale do të jenë 14-17 gradë celsius, ndërkaq maksimalet 32-36 gradë celsius.
Të mërkurën moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Lokalisht parashihen reshje të shkurtra shiu. Temperaturat minimale: 13 – 19°C ndërkaq temperaturat maksimale: 32-37°C.
Të enjten moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta. Vranësirat gjatë ditës mund të sjellin riga shiu dhe rrufe në disa zona. Temperaturat minimale do të jenë nga 14-19 gradë celsius ndërkaq maksimalet nga 34-38 gradë celsius.
Të premten do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat mund të sjellin reshje të izoluara.
Temperaturat minimale do të jenë nga 15 – 20°C, ndërkaq maksimalet 35-39°C.