Dyshimi për keqpërdorimin e 160 mijë eurove nga Oda Ekonomike e Kosovës, rast për të cilin kishte raportuar KOHA, ka bërë që Telekomi i Kosovës të kërkojë pezullimin e procedurës pranë Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit, që vepron në kuadër të Odës. KOHA ka siguruar dëshmitë dhe transaksionet që konfirmojnë parregullsitë mes kompanisë paditëse, e cila në Arbitrazh i kërkon 10 milionë euro, dhe Odës Ekonomike, në kuadër të së cilës funksionon Arbitrazhi. Rasti ka kaluar edhe në Prokurori
Telekomi i Kosovës ka kërkuar ndërprerjen e procedurës pranë Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit shkaku i dyshimeve për dallavere, për të cilat kishte raportuar KOHA.
Është 10 milionë euro shuma që kompania me prejardhje amerikane “Intercom Joint Ventures” i kërkon nëpërmjet Arbitrazhit, për shkak të pretendimeve se Telekomi nuk ka paguar për shërbimet e kontraktuara. Por e njëjta kompani pandehet se është bërë pjesë e skemës së transaksioneve të dyshimta. Pasi ishin avulluar rreth 160 mijë euro nga llogaria e Tribunalit të dedikuara për palët ndërgjygjëse, kompania paditëse dyshohet se e ka deponuar shumën e njëjtë të mjeteve në xhirollogarinë e Odës Ekonomike, pa e treguar dërguesin.
Transaksioni ishte realizuar pas raportimit të KOHËS për tërheqjen e mjeteve pa vendim të Arbitrazhit.
Tërheqja e kundërligjshme
Në shkresat që ka siguruar KOHA, Telekomi pretendon se Oda Ekonomike, duke pasur qasje në llogarinë bankare të Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit, ka bërë tërheqjen e mjeteve të deponuara nga palët për kostot e procedurës për lëndën e arbitrazhit. Aty përmendet edhe kallëzimi penal që është bërë nga gjyqtarët e rastit pas dyshimeve për dallavere.
“Kjo tërheqje është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizimet e nevojshme. Gjatë administrimit të kësaj çështjeje, janë ndërmarrë shumë veprime procedurale. Në ndërkohë, me datën 28.03.2022, Tribunali i Arbitrazhit ka parashtruar kallëzim penal kundër personave zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës për shkak të dyshimit të arsyeshëm të keqpërdorimit apo përvetësimit të kundërligjshëm të 150,000.00 euro të destinuara për administrimin e procedurës së arbitrazhit ARB 17/2018”, shkruan në kërkesën e Telekomit. “Me të marrë këtë njoftim, Telekomit i janë rritur dyshimet në kredibilitetin dhe integritetin e këtij procesi të arbitrazhit dhe rolit të Odës Ekonomike të Kosovës. Rrjedhimisht, është pamundësuar vazhdimi i kësaj procedure, e cila duhet të ndërpritet për shkak të rrethanave, të cilat e pengojnë vazhdimin e shqyrtimit dhe vazhdimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje”.
Kërkesa përmbyllet me pikën që urdhëron paditësin “Intercom Joint Ventures Kosovo L.L.C.” të bartë shpenzimet e deritashme të procedurës së arbitrazhit dhe shpenzimet e përfaqësimit të avokatit.
Zyrtarë të Telekomit i kanë thënë KOHËS se ekzistojnë dyshime të bazuara për keqpërdorimin e këtyre mjeteve.
“Sipas kallëzimit të parashtruar nga Tribunali i Arbitrazhit në Prokurori kundër personave zyrtarë të Odës Ekonomike të Kosovës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se janë tërhequr kundërligjshëm mjetet e deponuara nga palët për kostot e procedurës të destinuara për çështjen e arbitrazhit ARB 17/2018. Në lidhje me këtë, prokurori i shtetit e ka dërguar lëndën për shqyrtim dhe në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësi i Telekomit, Fadil Lepaja.
Ai ka konfirmuar se Telekomi është njoftuar për tërheqjen e mjeteve.
“Telekomi i Kosovës Sh.A. ka pranuar vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit të datës 07.03.2022, përmes të cilit palët janë njoftuar se janë tërhequr mjetet nga xhirollogaria e Arbitrazhit. Mënyra se si është bërë kjo tërheqje nuk është e njohur për Telekomin e Kosovës. Në momentin që Telekomi i Kosovës është vënë në dijeni për këto rrethana, ka ndërmarrë veprime konkrete, ashtu që me datë 15/05/2022 ka bërë kërkesën për ndërprerjen e procedurës së arbitrazhit në çështjen e arbitrazhit ARB 17/2018. Prandaj, varësisht nga vendimi i Tribunalit të Arbitrazhit lidhur me këtë kërkesë, Telekomi i Kosovës do të ushtrojë mjetet juridike në dispozicion pranë gjykatës kompetente”, ka theksuar ai.
Kërkesa e gjyqtarëve për bllokim të transaksioneve
Për këtë rast, veprime kanë ndërmarrë edhe gjyqtarët e procedurës në rastin e Telekomit dhe kanë përmendur edhe dyshimin që xhirollogaria e Odës mund të jetë subjekt i përmbarimit. Ata kanë kërkuar nga banka që menaxhon llogarinë e Odës të mos realizojë transaksione pa vendim të tyre.
“1. Urdhërohet Raiffaisen Bank, që pa vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit lidhur me rastin ARB 17/2008, të mos realizojë kurrfarë transaksioni financiar që evidentohet në llogari, pranë Bankës Komerciale Raiffeisen. 2. Urdhërohet Raiffesion Bank, sipas dispozitës së nenit 152, paragrafi 2, të LPP, që mos të kalojë kurrfarë shume të të hollave nga llogaria e transaksionit të Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit (TAP) në llogarinë e ndonjë kreditori, sipas urdhrit të organit përmbarues, apo vendimit përmbarues gjyqësor”, shkruan në vendimin e gjyqtarëve të Arbitrazhit, i cili është nxjerrë më 16 maj.
“Tribunali i Arbitrazhit është organ që gjykon mosmarrëveshjet ndërmjet shoqërive tregtare dhe mjetet financiare të paguara nga palët që kanë destinim të veçantë dhe nuk mund të jenë objekt i përmbarimit për detyrimet e Odës Ekonomike të Kosovës me seli në Prishtinë. Këto mjete të paguara nga palët janë mjete të paguara nga palët me destinim ligjor të veçantë, që realizohen vetëm me vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit”, vijohet në këtë vendim.
Me të është njoftuar edhe Oda e Përmbaruesve Privatë.
Gjyqtari Enver Hasani ka thënë se nxjerrja e këtij vendimi ka qenë i domosdoshëm, pasi ka konsideruar se paratë e paguara më herët nga pala paditëse dhe i padituri janë shpenzuar pa destinim, në kundërshtim të plotë me ligjin.
“Kjo pagesë është bërë nga paditësi, në mënyrë të kundërligjshme sepse nuk ka pasur vendim të Tribunalit të Arbitrazhit për një gjë të tillë. Përveç kësaj, mjetet janë paguar vetëm nga paditësi, jo edhe nga i padituri. Kjo do të thotë se efektivisht këtu bëhet fjalë për tentim për parablerje të kontestit”, ka thënë Hasani.
Sipas tij, është kërkuar të dihet saktësisht nga Banka Raiffeisen se kush dhe pse ka paguar këtë shumë, në mënyrë që ne si Tribunal i Arbitrazhit dhe si arbitra të rastit të mos jenë pjesë e një procesi pagesash të kundërligjshme, ku nuk ka asnjë transparencë.
KOHA ka pyetur në Bankën Raiffeisen në lidhje me këtë rast, por zyrtarë të saj kanë thënë se të dhënat e llogarive të klientëve që ka banka cilësohen si të dhëna konfidenciale dhe mund të shpalosen vetëm bazuar në kërkesën e autoriteteve.
“Megjithatë, bazuar në legjislacionin e Kosovës, të dhënat e llogarive të klientëve që ka banka cilësohen si të dhëna konfidenciale dhe mund të shpalosen vetëm bazuar në kërkesën e autoriteteve, të cilat janë të autorizuara me ligj t’i kërkojnë ato. Edhe në rastin tuaj, duke qenë se kërkesa juaj ka të bëjë më shpalosjen e informacioneve për llogaritë e klientit, ne nuk mund t’ju ndihmojmë sepse nuk kemi të drejtë të ofrojmë asnjë informacion të tillë”, ka thënë Iliriana Tahiraj, zyrtare për informim në Raiffeisen Bank.
Hesht OEK-u dhe pala paditëse
KOHA prej disa ditësh ka provuar të marrë një qëndrim nga Oda Ekonomike dhe kompania “Intercom Ventures”, por përgjigjet kanë munguar.
E, me qëllim të verifikimit të pretendimeve të parashtruara në kallëzim penal, Zyra e kryeprokurorit të shtetit më 30 mars i ka kërkuar kryeprokurorit Kujtim Munishi që çështja paraprake penale t’i ndahet ndonjërit prej prokurorëve për trajtim të mëtutjeshëm.
Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kanë konfirmuar se janë duke e trajtuar rastin.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë çështje, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar, andaj në këtë fazë nuk mund të ndajmë me ju informata të tjera”, ka thënë Laureta Ulaj nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Por deri tash, zyrtarët e Telekomit dhe gjyqtarët e Tribunalit kanë thënë se nuk janë kontaktuar nga ndonjë prokuror.
Rasti në Arbitrazh është përcjellë nga kompani që ka prejardhje amerikane dhe ofron shërbime të IPTV-së dhe e cila pretendon se Telekomi nuk i është përmbajtur kontratës. Sipas padisë, Telekomi i ka shfrytëzuar shërbimet dhe nuk i paguar. Kësisoj, “Intercom Joint Ventures ”, me padi në Arbitrazh, i ka kërkuar 10 milionë euro.
Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit është themeluar në vitin 2011 dhe paraqet një institucion të ristrukturuar, i cili ka evoluar nga Gjykata e Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës. Deri më tani, Tribunali ka zgjidhur shtatë konteste dhe që të gjitha janë nga fusha komerciale.