Vëllai i Agon Zejnullahut, Albani, ka paralajmëruar protestë të shtunën nga ora 11:00 para stacionit policor në Lipjan.
Sipas tij, protesta do të mbahet me të vetmen arsye “për ta kthyer rastin tragjik të Agonit në forcë dhe kauzë mbarëkombëtare”.
“Institucionet kanë një detyrë themelore: të kujdesen minimalisht për jetën tonë – gjë që, në rastin e Agonit, nuk ndodhi. Ju ftojmë të gjithëve t’i bashkoheni protestës. Ajo do të jetë paqësore, pa asnjë konotacion politik, dhe me një kërkesë të vetme: Drejtësi për Agonin. Le të jetë kjo hera e fundit që një qytetar humb jetën nga dështimi i atyre që duhet ta mbrojnë”, ka shkruar Albani në Facebook.
27-vjeçari Agon Zejnullahu vdiq gjatë arrestimit nga Policia në orët e para të së hënës në Lipjan. Pesë policë janë në paraburgim dhe po dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”.
Video të xhiruara nga momenti i arrestimit të Zejnullahut janë publikuar në media, duke nxitur reagim të shumta. Familjarë të të ndjerit kanë akuzuar Policinë se me ushtrimin e tepruar të dhunës çuan në vdekjen e tij.
Reagime pati edhe nga përfaqësues institucionalë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët kërkuan hetim të shpejtë e të drejtë lidhur me rastin.
E Institucioni i Avokatit të Popullit njoftoi të martën se ka hapur hetim lidhur me rastin, për të parë nëse janë shkelur të drejtat e njeriut gjatë arrestimit të 27-vjeçarit.
