Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të mbijetuarit e Qirezit dhe Likoshanit rikthejnë tmerrin e krenarinë

Likoshan

Të mbijetuarit dhe dëshmitarët e masakrave ende i kanë të freskëta kujtimet. Ata rrëfyen për tmerrin që e përjetuan kur forcat serbe ua ekzekutuan më të dashurit. “Atë ditë ka qenë një dhimbje e madhe për ne, por tash ndihemi edhe krenarë që në themelet e shtetit të Kosovës qëndron gjaku i familjarëve tanë dhe jemi krenarë edhe për faktin që gjithë ajo sakrificë nuk ka shkuar huq - në fund u kurorëzua me pavarësinë e shtetit të Kosovës që ka qenë ëndërr e të gjithë atyre që janë munduar për këtë ditë”, ka thënë Xhevdet Ahmeti nga Likoshani

Helikopterë, tanke e autoblinda të forcave serbe patën rrethuar shtëpinë e Xhevdet Ahmetit, mesditën e 28 shkurtit të 1998-s në Likoshan të Skenderajt.

Atë ditë iu vranë 10 anëtarë të familjes, mes tyre babai e tre vëllezër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shtëpia e familjes Ahmeti, që tani është shndërruar në muze, ende i mban gjurmët e ditës tragjike si dëshmi për masakrën e kryer.

Xhevdeti nuk kishte qenë në shtëpi kur ka ndodhur masakra por tregon se kur u kthye një ditë pas, mendonte se nuk do të gjete familjar të gjallë.

“Unë atë ditë rastësisht nuk ndodhesha në shtëpi. Isha në Prishtinë dhe me t’u kthyer në Drenas kuptova prej dajës tim që në Likoshan ka pasur të shtëna mes UÇK-së dhe policisë serbe. U kthyem bashkë deri në malin e afërt që të shihnim mos po mund të kuptonim se çfarë kishte ndodhur mirëpo ishte errësirë pothuajse totale. Nuk vërenim asgjë”, rikujtoi Xhevdeti këtë ditë të para 28 vjetësh. “U kthyem bashkë me dajën në mëngjes dhe aty pamë që të gjitha hyrjet dhe daljet e fshatit ishin të bllokuara me mjete të ndryshme ushtarake. Kishte autoblinda, kishe automjete të tjera dhe numër të madh të policëve serbë. Aty kam qëndruar derisa janë tërhequr forcat që e kishin rrethuar fshatin. Prej asaj që shihej e kishe përshtypjen që kur do të kthehem në shtëpi nuk do të gjeje njeri gjallë sepse ishte koncentrim i hekurt i bllokimit por koncentrim i veçantë ishte te familja Ahmeti”.

Ai tregoi se kthimi në shtëpinë e tij u bë pasi trupat serbe u larguan dhe rrëfen se si e mori lajmin për masakrën që kishte ndodhur në familjen e tij.

“Kur u ktheva në shtëpi i takova fëmijët e axhallarëve dhe motrat, vëllezërit e vegjël, të cilët më njoftuan se rreth orës 12:00, para familjes Ahmeti, këtu kishin ndodhur të shtëna, mes UÇK-së dhe policisë serbe. Me këtë rast kishte mbetur i plagosur Rexhep Rexhepi, pjesëtar i UÇK së, të cilin e kishte marrë babi im, Ahmet Ahmeti, dhe axhi Gani Ahmeti, dhe e kanë strehuar në familjen e vet”, u shpreh Ahmeti.

Ai thotë se familja e tij u bë cak i drejtpërdrejtë, pasi strehoi pjesëtarë të UÇK-së.

“Pastaj familja sulmohej me helikopterë, me autoblinda, me mjete të ndryshme, thyejnë dyert, hyjnë brenda i nxjerrin të gjithë anëtarët e familjes jashtë, i kontrollojnë objektet e banimit edhe objektet e tjera ndihmëse dhe e gjejnë të plagosurin ndërkohë kishte ndërruar jetë... Atë ditë janë vra babi im Ahmeti, dy vëllezërit e tij, Ganiu dhe Elmiu, djali i axhit të tyre Hamza, tre vëllezërit e mi: Dritoni, Nami dhe Shemsiu, tre djemtë e axhit: Lumniu, Bastriu dhe Elhamiu dhe mysafiri Behram Fazliu”.

Xhevdet Ahmeti thotë se aq sa është dhimbje është edhe gëzim sepse gjaku i familjarëve të tij është në themelet e shtetit.

“Atë ditë ka qenë një dhimbje e madhe për ne, por tash ndihemi edhe krenarë që në themelet e shtetit të Kosovës qëndron gjaku i familjarëve tanë dhe jemi krenarë edhe për faktin që gjithë ajo sakrificë nuk ka shkuar huq, në fund u kurorëzua me pavarësinë e shtetit të Kosovës që ka qenë ëndërr e të gjithë atyre që janë munduar për këtë ditë”, ka kujtuar Xhevdeti.

Ngjarjen e kujton edhe Zahir Nehbiu nga Qirez, që asokohe ishte 24 vjeç.

Ai tregoi se atë ditë iu vranë para syve dy vëllezërit, kunata shtatzënë e babai iu plagos rëndë, ndërsa ai vetë u rrah deri në alivanosje.

“Ne kemi qenë në shtëpi kur kanë hyrë nga ana e Likoshanit forcat serbe prej Drenasit. Kanë thyer dyert... Shtëpia ku janë vra familjarët është hala, në atë rri unë. Aty e kanë vrarë gruan e vëllait e cila ishte shtatzënë. E kanë plagosur babin rënd, e kanë vrarë vëllain Xhemshirin, e Iliri u vra te axha Sheremet”, tregon Nehbiu.

Ai rrëfen se si shtëpia dhe oda në oborrin e tij mbajnë ende gjurmët e asaj dite.

Më 28 shkurt të 1998-s, në Likoshan e Qirez u vranë 24 shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra e të moshuar. Ajo ndodhi pasi forcat serbe u hakmorën ndaj civilëve pas përballjes me njësite të UÇK-së, në të cilën mbetën të vrarë edhe disa policë serbë.

Prokuroria Speciale, e kontaktuar prej disa ditësh nga KOHA, nuk është përgjigjur nëse kjo masakër është duke u hetuar apo nëse pritet që për të të ngrihet aktakuzë.

Në 28-vjetorin e masakrave në Qirez e Likoshan, udhëheqës institucionalë, përfaqësues politikë dhe familjarë të 24 viktimave e kujtuan krimin si kthesë historike për Kosovën.

Në homazhet e bëra, kryeministri Albin Kurti theksoi se Likoshani e Qirezi ishin ndër të parat masakra të luftës, e që u bë edhe ndërgjegjësim i madh për popullin.

“Sot vendosëm lule të freskëta, por ia kujtojmë, ia përkujtojmë vetes se sa i lartë ka qenë çmimi i lirisë që e gëzojmë dhe i shtetit që i kemi, dhe se kemi obligim që gjithnjë e më shumë ta rrisim ekonominë, t'u ndihmojmë pleqve, grave, fëmijëve para së gjithash, por edhe ndërmarrësve që të kemi sa më shumë zhvillim, e para së gjithash, mbi të gjitha, ta forcojmë ushtrinë e Republikës së Kosovës, Forcat e Sigurisë të Kosovës, në mënyrë që askush asnjëherë të mos guxojë më të na mësyjë e të na vrasë sikurse në të kaluarën”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, theksoi se pas Likoshanit e Qirezit nisi vetëdijesimi i qytetarëve se me Serbinë nuk ka më as jetesë dhe as bashkëjetesë.

“Ka qenë një ditë e tmerrshme për mua dhe për shumë bashkëkombës të mi, një ditë tepër e errët, por që ditën që ka ndodhë masakra këtu, mendoj që ka fillu edhe vetëdijesimi i qytetarëve, po besoj që e kanë kuptuar që me Serbinë më nuk ka as jetesë, po as bashkëjetesë. Dhe filloi ajo që e dini të gjithë, domethënë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitorja e saj”, u shpreh Lushtaku.

E kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se kjo masakër e nisi mobilizimin e madh të Ushtrisë Çlirimtare.

“Ne në Drenas, Skenderaj, Drenicë dhe kudo në Kosovë kemi shumë masakra. Kjo është një nga masakrat e para, ku akoma nuk janë dënuar ata që e kanë bërë këtë masakër dhe kjo ka treguar që kjo masakër dhe masakrat e tjera e kanë ngritur botën demokratike që është bërë aleat me ne”, ka deklaruar ai.

Pjesë e homazheve ishin edhe familjarë të martirëve e dëshmorëve, të cilët vendosën kurora me lule pranë varreve të më të dashurve të tyre.

Gati tri dekada më parë, në vendin e njohur si “Te Tre Lisat”, u zhvilluan përballjet e para mes UÇK-së dhe forcave serbe. Në këto luftime, mbetën të vrarë disa policë serbë. Pas kësaj, forcat serbe rrethuan Likoshanin dhe Qirezin, ku më pas ekzekutuan 24 shqiptarë, në një nga masakrat e para që e shënoi fillimin e përshkallëzimit të luftës në Kosovë.

Masakra e Qirezit dhe Likoshanit ishte ndër të parat gjatë luftës në Kosovë. Pas saj ndodhi sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz.