etëm një bllok i termocentralit “Kosova A” ka prodhuar energji elektrike të shtunën, ndërsa të gjitha njësitë e tjera, përfshirë edhe ato të “Kosova B”, kanë qenë jashtë funksionit. Për pasojë, është importuar energji në vlerë mbi gjysmë milioni euro për një ditë të vetme
Energji elektrike të shtunën ka prodhuar vetëm blloku 3 i termocentralit Kosova A e katër njësitë e tjera prodhuese janë jashtë funksionit, përfshirë edhe bllokun 1 dhe 2 të termocentralit Kosova B, që zakonisht gjenerojnë 60 për qind të prodhimit.
Në kompaninë me përgjegjësi furnizimin me energji, KESCO, kanë thënë që vetëm gjatë së shtunës është importuar rrymë në vlerë gjysmë milioni euro për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.
“Ne vazhdojmë të punojmë intensivisht për të përmbushur kërkesën për konsum e cila po shënon rritje për shkak të temperaturave të larta, konkretisht përdorimit të kondicionerëve. Importi për ditën e sotme është 4174 MWh, ose mbi gjysmë milioni euro”, ka thënë Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.
Sipas të dhënave të publikuara në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit për Energji Elektrike, ENTSO-e, blloku A3 ka prodhuar mesatarisht 115 MW për orë, e ngarkesa mesatare të shtunën gjatë ditës ka qenë rreth 480 MW për orë. Kësisoj, prodhimi vendor ka mbuluar më pak se çerekun e konsumit.
E në bursën hungareze të energjisë HYPEX, janë evidentuar lëvizje të mëdha çmimi, nga ora në orë. Gjatë së premtes, çmimi i importit të energjisë në orën 14:00 ka qenë 3 euro e 28 centë, por në orën 20:00 është importuar në Kosovë për 202.93 euro, dallim ky për 6000 për qind.
Eksperti i energjetikës, profesori Adhurim Haxhimusa, thotë se mungesa e planifikimit në import dhe prodhim, çon në rritjen e kostos për konsumatorët. Ai propozon masat që duhen marrë ndërmarrjet e energjisë.
“Të rezervojnë kapacitete gjeneruese të cilat atëherë kur bien blloqet e Kosovës A dhe Kosovës B ato në çdo moment prodhojnë energjinë elektrike për Kosovën. Në këtë formë Kosova e ka të mundshme të menaxhojë koston e ndërprerjeve të paplanifikuara të Kosovës A, në njërën anë duke e siguruar furnizimin me energji elektrike dhe në anën tjetër duke i bërë kostot të parashikueshme dhe të menaxhueshme për furnizim stabil me energji elektrike. Një rrugë tjetër është edhe kontratat afatgjata të blerjes së energjisë elektrike”, ka thënë Haxhimusa.
E kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, në një konferencë për media, të mbajtur të premten mbrëma, tha se blloku B1 do të rikthehet brenda 48 orëve.
Ai paralajmëroi se do të rikthehet në operim edhe njëri nga blloqet e Kosovës A.
“Ekipet teknike paralelisht janë duke punuar edhe te njësia A3, A4, A5. E dimë se njësia A3 është duke prodhuar sot dhe do të prodhojë edhe nesër, njësia A4 është në remont kapital, njësia A5 ka pasur probleme që janë lajmëruar para tri ditëve në kaldajë edhe këtu janë angazhuar stafi profesional i Kosovës A, të hënën ose të martën kthehet njësia në operim”, ka thënë Hasani.
Sipas të dhënave në ENTSO-e gjatë majit Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë 9.4 milionë euro, e në prill afro 17 milionë, ndonëse nuk ka pasur probleme kaq të theksuara në prodhim.