Arbëri

Të akuzuarit për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit thonë se janë të pafajshëm

Të akuzuarit për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Nuk e pranuan fajësinë asnjëri prej të akuzuarve. Thonë se janë të pafajshëm. 

Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues” me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike përmes “kryerjes së veprës terroriste”. 

"Të pandehurit me disa persona të tjerë ende të panjohur pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, rreth 20 kilogram... në brendësi të kanalit përmes një çante, të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike, ku në atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të Ibër-Lepencit... është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi. Me këto veprime të pandehurit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit", ka thënë prokurori Bekim Kodraliu teksa ka lexuar aktakuzën.

Në këtë rast dy vëllezërit Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq akuzohen për "armëmbajtje pa leje".  

Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh.