Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur për datën 21 maj (nesër) nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Takimi, siç ka njoftuar Bajrami, kishte për qëllim diskutimin e vendimit për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku ishin të ftuar edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe deputetë të tjerë të Kuvendit.
Në një komunikatë për media të martën pasdite, Autoriteti ka theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në këtë takim është marrë mbi bazën e mandatit kushtetues dhe ligjor, si dhe për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë institucionale – dy shtylla thelbësore të funksionimit të institucionit.
Duke u mbështetur në nenin 21 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti thekson se është agjenci e pavarur që i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës dhe se “ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”.
“Autoriteti nuk merr pjesë në debate apo iniciativa që nuk zhvillohen në përputhje me strukturat zyrtare shtetërore dhe që bartin karakter politik apo ad-hoc,” thuhet në njoftim.
Për më tepër, Autoriteti ka rikujtuar se në rrethanat aktuale, kur Kuvendi ende nuk është i konstituar, ai nuk është në pozitë për të ndërvepruar me grupe parlamentare apo deputetë individualë jashtë kornizës formale të Kuvendit.
Në përfundim, Autoriteti i Konkurrencës “rikonfirmon përkushtimin për të vepruar në mënyrë profesionale, objektive dhe të paanshme, duke garantuar funksionimin e tregut të lirë dhe të drejtë, në përputhje me parimet ekonomike dhe ligjore”.
E, Bajrami në reagim më vonë ka thënë se derisa AKK arsyetohet për refuzimin për ftesën në takim duke cituar nenin 21, paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-056 - LIGJ PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS, ku thuhet se Autoriteti është agjenci e pavarur që i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai nuk është ftuar në zyre të LDK-së, por në Kuvend.
Bajrami ka theksuar se Autoriteti ka përgjegjësi që sipas ligjit duhet ta japë.