Arbëri

Tahiri: LVV-ja ka propozuar tre kandidatë që mbajnë rekord të zi ndaj UÇK-së

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Foto: Alban Bujari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Vetëvendosje ka propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit që mbajnë “rekord të zi” ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Vetëvendosja ka propozuar tre emra për kryetarë Kuvendi deri tash dhe asnjë nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Fillimisht qe hedhur në votim Albulena Haxhiu, më pas Donika Gërvalla e në seancën e fundit u propozua Hekuran Murati. Pas dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit, seanca u ndërpre për 48 orë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë dhe deri tani janë konsumuar katër ditë. 

Postimi i plotë i Tahirit në Facebook: 

Deri sot, LVV ka propozuar për kryetar të Kuvendit tre kandidatë që mbajnë rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:
1. Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë.
2. Donika Shvarc ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thot se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim.
3. Hekuran Murati i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë:
• Veteranët e UÇK-së
• Familjet e Dëshmorëve
• Invalidët e UÇK-së
Po duket se të gjithë pe dimë se kush do të jetë nesër kandidati i radhës.