“Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë - e tash Kosova nuk është aty temë, por është palë - bëhet me ndërmjetësim të Brukselit dhe ndihmohet nga SHBA-ja. Nesër vijnë edhe përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi, që do ta shoqërojnë Lajçakun. Ndihma e të gjitha shteteve mike është e mirëseardhur”, ka thënë Kurti, një ditë pasi nga Beogradi, presidenti Recep Tayyip Erdogan është shprehur i gatshëm për angazhimin e vendit të tij në proces
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka një ndërmjetësues - Bashkimin Evropian - dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ndihmës, ka thënë të enjten kryeministri Albin Kurti, një ditë pasi që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur nga Beogradi gatishmërinë e shtetit të tij për angazhim në proces.
Kurti megjithëkëtë e ka vlerësuar të mirëseardhur angazhimin e secilit shtet aleat për lehtësimin e dialogut, i cili do të çonte drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
“Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë - e tash Kosova nuk është aty temë, por është palë - bëhet me ndërmjetësim të Brukselit dhe ndihmohet nga SHBA-ja. Nesër vijnë edhe përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi, që do ta shoqërojnë Lajçakun. Ndihma e të gjitha shteteve mike është e mirëseardhur”, ka thënë Kurti para mediave.
Presidenti turk ka thënë të mërkurën në Beograd, gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se Ankaraja zyrtare është e gatshme për të ofruar mbështetje drejt arritjes së një zgjidhjeje. Derisa ka vlerësuar se në këtë progres janë shënuar përparime, Erdogan ka shprehur optimizmin edhe për arritjen e një ujdie rreth targave të veturave.
“Jemi shumë të kënaqur që është arritur marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për kalimin e kufijve me letërnjoftime. Sa u përket targave, shpresoj që të arrihet marrëveshje sa më shpejt, si dhe për çështje të tjera problematike”, ka deklaruar Erdogan.
Vizita e Erdoganit në Serbi ishte në kuadër të një xhiroje në Ballkanin Perëndimor, në të cilën nuk është përfshirë edhe Kosova. Para Beogradit, ai ka qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë, ku ka nënshkruar një marrëveshje për udhëtime vetëm me letërnjoftime për qytetarët e dy shteteve.
Arsyen për anashkalimin e Kosovës nga agjenda e vizitave, kryeministri Kurti ka theksuar se nuk mund ta dijë, porse ka shtuar se qëndrimi i tij në Serbi dhe të enjten edhe në Kroaci mund të jetë i ndërlidhur me situatën në Bosnjë-Hercegovinë.
“Përshtypja ime është se kjo vizitë kishte më tepër të bënte me Bosnjën, sepse e konsiderojnë vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Andaj, edhe vizita ishte në Serbi dhe Kroaci, sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë. Nuk është se ne mund të dimë qind për qind, ku, çka, kush shkon”, ka thënë Kurti.
Por me faktin që Kosova nuk ka figuruar në listën e vendeve të vizituara nga Erdogani të enjten ka ironizuar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke e thumbuar kryeministrin Kurti.
“Nuk ka dyshim se për dhjetë ditët e fundit, Kurti ka mundur vetëm të shikojë me zili se si Beogradi ishte qendra e nismës ‘Open Balkan’, se si mijëra serbë në veri të Kosovës e M. e pritën me krenari dhe entuziazëm kryeministren e tyre, Ana Bërnabiq, dhe në fund, detajet e vizitës madhështore të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Beograd, pas së cilës iu premtua dorëzimi i dronit ‘Bayraktar’ dhe të cilin Kurti mund ta shohë vetëm në video dhe në foto”, është cituar të ketë thënë Petkoviq, në një njoftim të përcjellë nga zyra e tij.
Kosovën, për të dytën herë brenda dy javësh, do ta vizitojë të premten emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Në këtë vizitë, Lajçaku do të jetë i shoqëruar nga këshilltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe të Francës, Emmanuel Bonne. Porse hollësitë lidhur me agjendën e vizitës nuk janë bërë të ditura gjatë së enjtes as nga Qeveria dhe as nga Brukseli.
Pas Kosovës, emisari Lajçak dhe këshilltarët e kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit Emmanuel Macron do të udhëtojnë të shtunën drejt Serbisë. E pas takimit me delegacionin evropian, Vuçiq ka paralajmëruar se do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Për herë të fundit, Lajçaku ka qëndruar në Kosovë në fundin e gushtit. Ai dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje që do të shmangte tensionet në veri të Kosovës, në prag të hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë për reciprocitet në targa dhe në dokumente të identifikimit.
Pas vizitës së tyre, Kosova dhe Serbia arritën pajtim për kalimet kufitare vetëm me letërnjoftime më 27 gusht, pak ditë para hyrjes në fuqi të masës së reciprocitetit më 1 shtator.
Dy shtete ende nuk kanë gjetur pajtim edhe për çështjen e targave. Kurti javë më parë ka deklaruar se një nga opsionet e propozuara nga emisari Lajçak ka qenë rikthimi i targave të UNMIK-ut për serbët në veri, porse ai është kundërshtuar. Një marrëveshje për çështjen, Lajçak pret se do të gjendet brenda dy muajsh, deri në skadimin e afatit të 31 tetorit për konvertimin e targave të veturave të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës, në ato të Republikës së Kosovës.