Arbëri

Syla thotë se i arrestuari në Serbi nuk ishte pjesë e UÇK-së

Mediat serbe raportojnë se është arrestuar një ish-ushtar i UÇK-së në Svilajnac

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla, ka thënë se i arrestuari të martën në Serbi, Lulzim Halili, nuk është pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç raportuan dje mediat serbe.

"Novosti" raportoi gjatë të martës se një ish-pjesëtar i UÇK-së me emrin Lulzim Halili është arrestuar në Svilajnac. Ministria e Jashtme e Kosovës nuk e ka konfirmuar ende rastin.

Në një prononcim për KOHËN, Syla ka thënë se që nga mbrëmja kur u mor vesh për arrestimin, organizata ka nisur verifikimet për të kuptuar nëse personi në fjalë ka qenë pjesë e UÇK-së. Pas konsultimeve me bashkëluftëtarë dhe shqyrtimit të listave dhe arkivave të organizatës, është konstatuar se ai nuk figuron askund si veteran apo pjesëtar i UÇK-së.

“Qysh mbrëmë, kur e kemi marrë lajmin për arrestimin e tij, kinse ka qenë ushtar i UÇK-së, jemi interesuar. Sot gjatë gjithë ditës kemi kontaktuar bashkëluftëtarë, kemi shikuar listat dhe arkivën tonë. Ky person rezulton të mos e ketë statusin e veteranit, madje as si pjesëmarrës në UÇK”, ka thënë Syla.

Ai theksoi se asnjë nga bashkëluftëtarët nuk ka konfirmuar ndonjë lidhje të të arrestuarit me radhët e UÇK-së, duke shtuar se organizata distancohet nga çdo tentativë për keqpërdorim të emrit të saj.