Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se shkaku i luftës në Ukrainë është penguar furnizimi me materiale për dokumente personale, prandaj qytetarët po kanë probleme të pajisen me dokumente personale.
Ai ka thënë se në fund të këtij muaji do të furnizohen me material për letërnjoftim dhe patentë shofer, ndërsa për pasaportë pas dy muajve.
"Në fund të këtij muaji do të furnizohemi me materiale për patentë shofer dhe letërnjoftim, ndërsa pas dy muajsh edhe për pasaport", ka thënë ai në Kuvend të enjten, duke iu përgjigjur pyetjes se deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Por, deputetja Musliu-Shoshi kërkoi të di pse vetëm Kosova po përballet me këto probleme, e jo vendet e rajonit.
Pyetjen e njëjtë e ka parashtruar edhe deputeti i PDK-së, Ilmi Reqica.
Sveçla ka thënë se i vjen keq për qytetarët për situatën e krijuar.
Sipas tij, aktualisht vetëm rastet urgjente po furnizohen me dokumente personale. Por ka thënë se janë duke punuar në sigurim të dokumenteve.
KOHA kishte raportuar më 11 nëntor se MPB-ja e kishte ndërprerë lëshimin e pasaportave, përveç rasteve urgjente. Teksa ishte paralajmëruar se lëshimi i pasaportave do të rifillonte në janar.
Për Sveçlën kritika pati edhe për mosemërimit e drejtorit të ri të Policisë.
Deputetja Ganimete Musliu ka thënë se ka tre muaj që Policia po udhëhiqet me ushtrues detyrë të drejtorit. "Pse nuk po emërtoni drejtorin e Policisë?", ka pyetur ajo.
Sveçla ka thënë se janë në proces të themelimit Komisionit dhe do të vazhdojnë me procedurat e tjera. Por, deputetja Musliu e ka pyetur se a nuk po i beson kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë, por që ministri Sveçla nuk është përgjigjur në këtë pyetje.