Gjykata Supreme e Kosovës të martën ka vlerësuar se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Në një vendim të marrë lidhur me Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 për arkat fiskale digjitale, të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, Supremja ka vlerësuar se “në përputhje me nenet 28 dhe 29 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat përcaktojnë se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit, si dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre si deputetë të Kuvendit, gjykata vlerëson se ministri në detyrë përgjegjës për nënshkrimin e aktit nënligjor normativ të kontestuar i ka përfunduar detyrat me përfundimin e mandatit të Qeverisë dhe me momentin e nënshkrimit, përkatësisht publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.
Në një pjesë të vendimit të siguruar nga KOHA, me të cilin është shfuqizuar Udhezimi në fjalë, thuhet se në referim të kufizimeve të përcaktuara me nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, “duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”.
“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Pra, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.
Gjithashtu thuhet se Gjykata nuk ka vlerësuar pretendimet dhe argumentet e tjera, "duke konsideruar se mungesa e autorizimit ligjor dhe mungesa e kompetencës funksionale për nxjerrjen dhe publikimin e aktit nënligjor normativ, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese".
“Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, Gjykata vlerëson se akti i kontestuar duhet të shfuqizohet si i kundërligjshëm dhe në shkelje të dispozitave kushtetuese”, thuhet në vendim.
LDK: Supremja konfirmoi shkeljet e rënda kushtetuese të ministrave që u bënë deputetë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka mirëpritur vendimin e Supremes, i cili sipas LDK-së, konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët edhe pas certifikimit si deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë.
“Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxjerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Tutje thuhet se për këtë çështje LDK-ja ka deponuar 17 kallëzime penale ndaj ministrave në detyrë që kanë marrë vendime edhe pasi janë certifikuar si deputetë.
Në një komunikatë për media ata kanë njoftuar se të mërkurën do ta deponojë në Prokurori si dëshmi e argumentimit të saj në këto 17 kallëzime penale vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka vlerësuar se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
“Në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani ka ushtruar 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë, duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin institucional të Republikës”, thuhet në reagim”, thuhet në komunikatë.
LDK-ja ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet, siç thuhet, këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët e saj.
“Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme. Kosova nuk mund të lejojë më që institucionet e saj të uzurpohen dhe të keqpërdoren për interesa politike të një partie. Shteti i së drejtës nuk mund të jetë viktimë e arrogancës politike. Zbatimi i ligjit nuk është opsional, por detyrim i panegociueshëm për çdo zyrtar publik”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Cakolli: Jokushtetuese, vendimet e marra nga kryeministri e ministrat e certifikuar si deputetë
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) Eugen Cakolli, ka thënë se Gjykata Supreme e ka qartësuar përfundimisht se (ish-)ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).
Gjykata Supreme ka vlerësuar se nxjerrja e vendimeve nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Sipas Cakollit çdo vendim i marrë nga ministrat në detyrë pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
“Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato. Këtë e kemi thënë prej muajsh. Megjithatë, pushteti ka këmbëngulur të sillet sikur kjo situatë nuk ekziston. Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka thënë se ushtrimi i dy funksioneve është bazë për ndjekje penale.
“Sot nuk ka më trillime juridike. Gjykata Supreme e vulosi atë që ka qenë e qartë që nga dita e parë. Nuk mund të ulesh në dy karrige dhe të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë. Çdo ditë e kaluar në këtë shkelje është dëm për institucionet dhe për qytetarët. Mbi të gjitha, është bazë për ndjekje penale”, ka shkruar Cakolli.
Murati e quan absurd vendimin e Supremes
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati e ka quajtur absurd vendimin e Gjykatës supreme me të cilin është shfuqizuar Udhëzimi Administrativ për arkat fiskale digjitale.
Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se nxjerrja e vendimeve nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Murati ka theksuar se me këtë udhëzim do të përfundonte “monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese”
“Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet. Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sipas tij si pasojë e këtij vendimi, “bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”.
Murati nuk ka komentuar lidhur me atë nëse përben shkelje kushtetuese nxjerrja e akteve nënligjore nga një ministër në detyrë që ushtron edhe pozitën e deputetit.