Në qendër të Bujanocit janë shfaqur grafite me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq. Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, i ka quajtur grafitet të papranueshme dhe kërcënim ndaj sigurisë e bashkëjetesës.
Mustafi, që është këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se grafitet janë shfaqur në qendër të Bujanocit.
“Në një qytet me shumicë shqiptare, në vitin 2025, të shfaqet publikisht emri i gjeneralit të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, bashkë me simbole nacionaliste e urrejtëse, është dëshmi e qartë e rrënimit të sigurisë publike dhe mosndëshkimit institucional. Në gusht, u thye billboard-i i Komandant Lleshit, një figurë e dashur për shqiptarët e Luginës, në përvjetorin e rënies së tij. Asnjë reagim nga autoritetet. As policore. As institucionale. Paraprakisht ishin shfaqë grafite me thirrje për vrasje të shqiptarëve dy herë tek Shtëpia e Shëndetit. Prapë heshtje. Sot, kemi këtë: “РАТКО МЛАДИЋ” me të kuqe në qendër të qytetit. E njohim mirë këtë stil: nacionalizëm, provokim dhe frikësim i qëllimshëm i shqiptarëve në vendin e tyre”, ka shkruar Mustafi në Facebook. “Aty ku “multietniciteti” po ndërton realitetin e ri. Serbizimi sistematik i Bujanocit”
Ai ka thënë se serbizimi sistematik i Bujanocit po ndodh me mjete më të sofistikuara.
“Kjo nuk ndodh me dhunë të hapur, por me mjete më të sofistikuara. Me letra që shpifin kundër shqiptarëve, me emërime që përjashtojnë shqiptarët, me përjashtim të simboleve dhe figurave kombëtare shqiptare, me ndëshkim të atyre që guxojnë të flasin (P.S. A ju të APN-ës atë goblenin tem, keni me lyp. Veç vonë keni me kuptu fatkeqësisht”, ka shkruar Mustafi.
E kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se Serbia po hesht përballë akteve të urrejtjes dhe provokimit. Ajo ka thënë se heshtja është nxitje indirekte, dhe e bën më të rëndë goditjen ndaj shqiptarëve dhe sigurisë së tyre.
“Në Bujanoc, në vitin 2025, shqiptarët po përballen me një realitet të dhimbshëm: emri i një gjenerali të dënuar për gjenocid shfaqet publikisht në qendër të qytetit, i shoqëruar me simbole të nacionalizmit ekstrem. Ky nuk është vetëm vandalizëm – është një mesazh frikësues, i drejtuar ndaj shumicës shqiptare. Këto nuk janë veprime të rastësishme. U thye billboard-i i Komandant Lleshit, u shkruan grafite me thirrje për vrasje të shqiptarëve para Shtëpisë së Shëndetit, dhe gjithçka kaloi pa reagim. Sot, emri i Mlladiqit në muret e qytetit është vazhdim i së njëjtës strategji: provokim, nënçmim dhe heshtje institucionale. Ky proces po ndodh me mjete të maskuara: me shpifje ndaj shqiptarëve, me përjashtim nga vendimmarrja, me heqje të simboleve dhe figurave tona kombëtare. Është dëmtim i qëllimshëm i marrëdhënieve ndëretnike”, ka shkruar ajo në Facebook.
E deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka thënë se shkrimi i emrit të Mlladiqit në Bujanoc, është si pasojë e glorifikimit të kriminelëve të luftës nga Qeveria në Beograd.
“Kjo nuk është vetëm një fyerje për viktimat e luftës, por edhe një përpjekje e rrezikshme për të imponuar krimin si vlerë dhe për ta normalizuar të keqen. Çdo glorifikim i krimit është një akt kundër paqes, kundër drejtësisë dhe kundër së ardhmes së shoqërisë”, ka shkruar ai.