Arbëri

Vuçiq flet për protestë kundër “Zyrës për Kosovë”: Sikur ta ketë porositur Kurti

Aleksandar Vuçiq

Foto: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se "ka informata" se po planifikohet që më 19 shtator të protestohet kundër të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë. 

“Ata nuk mund të gjejnë studentë, as profesorë, askënd. Pra, është sikur Kurti personalisht i urdhëroi ata se çfarë të bënin. Tani ata do të protestojnë kundër Zyrës për Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçiq, për "TV Pink".

Ai tha se “’takimi i nivelit të lartë’ vendosi, ndërsa po sulmoheshin policët me shufra para Fakultetit të Filozofisë në Novi Sad, se më 19 shtator do të protestohet kundër Zyrës për Kosovë dhe Metohi”. 

Vuçiq ka folur edhe për marrëveshjen për bashkëpunim në mbrojtje mes Kroacisë dhe Sllovenisë. 

Ai tha se do të flasë për këtë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Tha se po “bëhen aleanca ushtarake kundër Serbisë”. 

Vuçiq qëndroi në Pekin këtë javë, ku u takua ndër të tjera edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. E përcolli nga afër paradën ushtarake të Kinës. 

Vuçiq ka thënë se Serbia ka “bashkëpunim të shkëlqyer me Bashkimin Evropian”, por shtoi se s’do të thotë që “ka të drejtë t’i fyejë Kinën e Rusinë”. 

Vuçiq i ka komentuar deklaratat e zëvendëspresidentit të Partisë për Liri dhe Drejtësi, Borko Stefanoviq që tha se Brukseli është vendi ku është e ardhmja e Serbisë dhe se s’do të ketë despotizëm lindor. 

“Le ta marrin një vendim për pavarësinë e Kosovës, por le t'i mbajmë së pari zgjedhjet, që të fitojmë, dhe pastaj ju merrni vendim për pavarësinë e Kosovës – kështu u sollën ata. Kur Kosova shpalli apo siç themi e vetëshpalli pavarësinë e saj, ata heshtën, nuk thanë asnjë fjalë. As nuk ishin të interesuar për këtë”, tha Vuçiq. “Unë kam qenë në Bruksel mbi 200 herë. Por, kjo nuk do të thotë se na lejohet dhe kemi të drejtë të fyejmë një vend kaq të madh dhe të suksesshëm si Republika Popullore e Kinës apo si Federata Ruse...Kjo tregon se këta njerëz se kanë idenë se çfarë po ndodh në botë”. 

Serbia po përballet me protesta masive që nga nëntori i vitit të kaluar.