Deputetja e partisë “Guxo”, Jeta Statovci, ka deklaruar se nuk ka çarje mes raporteve të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ndonëse sipas saj, qëndrimet mund të kenë qasje të ndryshme.
Ajo ka deklaruar të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se brenda institucioneve “ka mendime të ndryshme në kuadër të parimeve të demokracisë”, duke theksuar se komunikimi mes presidentes, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit mund të jetë edhe më i koordinuar.
“Askush të mos presë që të ketë çarje të raporteve në rrafshin institucional e edhe personal, këta janë përbashkuar në kuadër të kauzës së përbashkët dhe përkushtimit fisnik që kanë në raport me Kosovën. Ka mendime të ndryshme, edhe në kuadër të parimeve të demokracive mund të lejohen mendime e qasje ndryshe kështu që në mes të komunikimit të ndërmjetëm të qartësohen këto qëndrime...Koordinim ka, por duhet të vazhdojë edhe koordinimi institucional”, ka thënë ajo.
Deputetja Statovci ka theksuar se në rast se s’ka pasur komunikim të mirëfilltë, kjo mund të jetë imponuar “nga fakti i dinamikës së procesit në tërësi”.
“Dinamika e procesit e ka imponuar që institucionet të veprojnë me shpejtësi e t’i përgjigjen potencialit të ndryshimit të rrethanave. A duhet të jetë (Kurti v.j.) në koordinim me presidenten, do të duhej. Të njoftohej edhe të sinjalizohej çështja që institucionet kanë bashkëpunuar. Mund të ketë rrethana ku mendimet të jenë ndryshme, çështja e mendimeve të ndryshme sjell edhe perspektivë të ndryshme në tavolinë”, theksoi deputetja e partisë në pushtet.
Statovci ka theksuar se Qeveria është në pozicion të favorshëm “dhe ka një pëlqyeshmëri mbi 60 për qind”
“Jemi në fazë të zgjedhjeve e edhe oferta e dërguar për partitë politike është korrekte. Duhet të ketë konsensus edhe nga ana e spektrit politik që të vendoset se kur të shkohet në procesin zgjedhor”, shtoi ajo.
Deputetja e “Guxo” shtoi se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta, e sipas saj, “BE-ja me këto masa ka hyrë në një proces që s’di si të dalë”.
Ajo shtoi se krahas masave, Kosova dhe institucionet e BE-së kanë vazhduar projektet mbi energjinë, ujerat dhe fusha të tjera më rëndësi.