Arbëri

Stafi shëndetësor që trajton pacientë me koronavirus apelon për kujdes

“I mundimshëm, i lodhshëm, me shumë punë, angazhime, i lodhur edhe në aspektin fizik dhe psikik, por besoj që ia kemi dalë, edhe pse me shumë humbje, të sëmurë e të vdekur nga stafi ynë”, është përshkrimi që ia bën një viti të pandemisë Artan Ahmeti, përgjegjës i Mjekësisë Sportive. Aty trajtohen të sëmurët me COVID-19, që kryesisht kanë nevojë për oksigjen.

Nga rreth 100 shtretër sa ka ky objekt, mbi 70 prej tyre janë të zënë.

Ahmeti ka treguar për sfidat që kanë për t’u kujdesur për këta pacientë tash e disa muaj, teksa ka tërhequr vërejtjen se grumbullimet e shumë personave do të duhej të ndaloheshin, për të mos u përballur edhe një herë me numër të lartë të rasteve. Ai madje ka thënë se shkaku i mungesës së stafit mbështetës atyre u duhet t’i lejojnë familjarët e pacientëve të kujdesen për ta.

“Pacientët që janë shumë rëndë dhe kanë nevojë personale, si ndërrim, tualet, atëherë lejohen familjarët, por pyeten familjarët që e kanë kaluar COVID-19, edhe me masa mbrojtëse lejohen. E kjo ndodh pikërisht për mungesë të ndihmës së infermierëve”, është shprehur Ahmeti.

Për trajtimin e pacientëve me COVID-19, stafi i infermierëve ka pasur punën më të rëndë.

Edhe Naser Miftari është njëri nga infermierët që kujdeset për pacientët në Mjekësinë Sportive. Për të ka qenë i pritshëm rëndimi i gjendjes pandemike, pas tubimeve të dy javëve më parë.

“Ne në njëfarë mënyre kemi qenë të përgatitur për këtë situatë që jemi tash, se njëherë numri ra e tash ka filluar të rritet dhe këto janë si pasojë e fushatës zgjedhore. Pasojat mund të jenë edhe si rezultat i grumbullimeve në restorante të ndryshme e në muzika të ndryshme”, ka thënë ai.

Miftari, i cili thotë se edhe vetë ishte i infektuar dhe se kishte pasur probleme shëndetësore shkaku i pandemisë, apelon te qytetarët të kenë kujdes dhe t’i respektojnë masat.

“Kisha një mesazh për të rinjtë, që të kenë kujdes se ata munden me e kalu lehtë, por familjarët e tyre mund ta kalojnë keq për shkakun e tyre”, ka thënë ai.

Pacientët kanë vetëm fjalë të mira për stafin, por apelojnë që qytetarët t’i respektojnë masat anti-COVID, e përsërisin disa herë.

Njëri nga ta tregon se çfarë simptomash kishte pasur.

“Në fillim e kemi pasur një molisje, një lodhje, ashtu si apati me thënë, edhe menjëherë kemi ardhur te mjeku. I kemi bërë kontrollet dhe të gjitha vizitat dhe kemi ardhur tek ajo që po e shohim që gjendja është më e përmirësueshme”, ka thënë ai, duke apeluar te qytetarët që të shkojnë te mjeku në momentin e parë që nuk ndihen mirë, apo kanë simptoma të koronavirusit.

E një tjetër pacient, i cili kishte disa javë që po merrte trajtim në Mjekësinë Sportive, ka thënë se është i habitur se si qytetarët vijnë vazhdimisht në këtë objekt pa i respektuar masat. Ai ka treguar se nuk dëshiron që familjarët e tij të shkojnë aty, pasi që shumica nuk e kanë kaluar ende virusin.

“Mua edhe po më çuditin që edhe këtu po vijnë. U kam thënë fëmijëve të mi që nuk e kanë kry që nuk guxojnë me ardhë. Vetëm një djalë që e ka kryer vjen këtu. Unë them që të mos hyjnë në këtë far vale, se është sëmundje e keqe...”, ka thënë ai.

Objekti i Mjekësisë Sportive deri në nëntor të vitit 2020 ka trajtuar vetëm të sëmurët me COVID-19 në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Numri i personave që kërkojnë ndihmë spitalore në klinika të QKUK-së e në spitale rajonale është rritur ditët e fundit, duke shkuar në mbi 600.