Arbëri

Spitalit të Prizrenit i “zhduket” kombibusi 25 mijë eurosh

Një kombibus i Spitalit të Prizrenit, në vlerë 25 mijë euro, është “zhdukur” që prej dy vjetësh. Ndonëse ky automjet figuron si pasuri e spitalit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se nuk ka evidenca që e dëshmojnë ekzistencën e tij. Për këtë rast Spitali nuk ka ofruar përgjigje, e në SHSKUK kanë thënë se ky rast është duke u hetuar

Prej së paku dy vjetësh, Spitalit të Prizrenit i është zhdukur një automjet në vlerë prej 25 mijë eurosh.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) për vitin 2024, ka gjetur se për këtë kombibus nuk ka evidenca të cilat ia dëshmojnë ekzistencën.

“Për pasurinë nuk ishte siguruar evidenca që do ta dëshmonte ekzistencën e saj dhe se është në përdorim, apo se pasuria është tjetërsuar apo dhuruar. Për të njëjtën ishte raportuar edhe në raportin e vitit paraprak, mirëpo gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së politikave të qarta për regjistrimin, verifikimin dhe mbajtjen e pasurisë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Bazuar në këtë raport, mosmenaxhimi i pasurisë së Spitalit e mundëson keqpërdorimin e saj.

“Pamundësia për ta dëshmuar ekzistencën fizike të pasurisë, të cilën e mban në regjistra, në mungesë të informatave për të njëjtën, e rrit mundësinë e keqpërdorimit të pasurisë, humbjes apo tjetërsimit”, është theksuar në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar Bordit Drejtues dhe drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së që të forcojnë kontrollet në menaxhimin e pasurisë, në mënyrë që të evitohet mundësia e humbjes apo e keqpërdorimit të saj.

Në SHSKUK kanë bërë të ditur se Spitali i ka informuar që rasti është iniciuar në njësinë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit, porse nuk kanë treguar se kur ka nisur hetimi dhe se çfarë informatash posedojnë për të.

“Ju njoftojmë se nga drejtoresha e Spitalit të Prizrenit jemi njoftuar se rasti është iniciuar në njësinë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion!”, kanë thënë në SHSKUK.

Informata të tjera për zhdukjen e automjetit nuk kanë dhënë as në Spitalin e Prizrenit.

Në raportin e Auditorit janë listuar 11 gjetje për Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar. Ajo për mungesën e kombibusit 25 mijë eurosh është në mesin e atyre që ZKA-ja e ka pasur bazë kur ka dhënë opinion të kualifikuar për këtë institucion.