Tash e një muaj është jashtë funksionit aparati i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, kanë konfirmuar në këtë institucion. Për mungesë të CT-së, pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim janë dërguar me autoambulancë në Spitalin e Gjakovës. Në këtë institucion thanë se nuk bëhet fjalë për ndonjë defekt teknik, por pajisja e instaluar në vitin 2008 ka konsumuar gypin e rrezatimit, një pjesë që nuk riparohet, por vetëm duhet të zëvendësohet.
Pacientët që kanë nevojë për Tomografi të Kompjuterizuar (CT), tash e një muaj nuk mund ta bëjnë këtë incizim imazherik në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Për shkak të një defekti me gyp, aparati është jashtë funksionit, kanë konfirmuar në këtë institucion.
Si pasojë, pacientët transferohen në Spitalin e Gjakovës, me ekip mjekësor.
Pajisja e CT-së në Pejë është instaluar në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë nuk është riparuar asnjëherë.
“Aparati i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë aktualisht është jashtë funksionit për shkak të konsumimit të gypit të rrezatimit, i cili është material shpenzues dhe nuk është pjesë që riparohet, por vetëm zëvendësohet. CT që ne disponojmë në spitalin tonë është një pajisje e vjetër, por shumë e përdorur, ngase për një kohë të gjatë mesatarisht kryhen rreth 20 ekzaminime me CT në një ditë. Problemi aktual nuk është defekt teknik, por konsumim normal i pjesës së brendshme (gypit), i cila ka arritur në fund të jetës funksionale. Në ditët në vijim presim që SHSKUK të sigurojë gypin e ri, në mënyrë që ta rikthejmë pajisjen”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Sipas drejtuesve të këtij spitali, në Gjakovë dërgohen vetëm rastet emergjente dhe ato të domosdoshme.
“Duke iu falënderuar mirëkuptimit të spitalit të përgjithshëm ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, për ata pacientë që është i domosdoshëm ekzaminimi me CT, ne i bartim pacientët tanë me autoambulancë për të kryer ekzaminimin me CT në atë institucion. Sa i përket numrit të pacientëve që dërgojmë në spitalin ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, kjo varion sipas rasteve dhe ne dërgojmë vetëm rastet e domosdoshme. Javën e kaluar 11 pacientë kemi dërguar në Gjakovë”, thuhet në përgjigje.
Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë se ky shërbim po u ofrohet pacientëve nga Peja, pasi që në këtë spital nuk ka listë pritjeje për këtë shërbim.
Burime të KOHËS thanë se përveç rasteve të dërguara në Gjakovë, disa pacientë nga Peja janë detyruar të udhëtojnë edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për ta kryer CT-në.
KOHA, që nga 26 nëntori i është drejtuar SHSKUK-së për të pyetur se kur pritet të sigurohet gypi i ri për CT-në në Pejë, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Probleme së fundi ka pasur edhe me aparatin CT në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, por ai tashmë është kthyer në funksion.