Arbëri

LIVE: Nis faza përfundimtare e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Gjykata Speciale
  • E hënë 9 shkurt: Nis paraqitja e fjalës përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS)

  • E martë, 10 shkurt: ZPS-ja përmbyll fjalën përfundimtare dhe atë e nis Mbrojtësi i Viktimave

  • E mërkurë, 11 shkurt: Mbrojtja e Hashim Thaçit shpalos fjalën përfundimtare, nis paraqitja e Kadri Veselit 

  • E enjte, 12 shkurt: Përmbyllet fjala përfundimtare e Kadri Veselit dhe nis ajo e Rexhep Selimit

  • E premte, 13 shkurt: Mbrojtja e Selimit përmbyll fjalën e saj dhe fillon mbrojtja e Jakup Krasniqit

  • E hënë, 16 shkurt: Krasniqi përmbyll fjalën përfundimtare dhe anëtarët e trupit gjykues mund të parashtrojnë pyetje 

  • E mërkurë, 18 shkurt: ZPS-ja u përgjigjet ekipeve mbrojtëse dhe anasjelltas si dhe deklarohen edhe të pandehurit  


Sot nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Seanca do të nis nga ora 9:00, por në Kosovë do të transmetohet 45 minuta me vonesë, përkatësisht në orën 9:45.

Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.