Agim Sopi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se me moscertifikimin e Listës Serbe janë prekur interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në “Konfront” të KTV-së, ai ka thënë se SHBA-në dhe shtetet tjera partnere bën të mos dëgjohen vetëm në raste kur ka luftë dhe “ti detyrohesh ta mbrosh shtetin e kufijtë”.
“E thanë (SHBA-ja) që është vendosur në rrezik stabiliteti i Kosovës dhe interesi amerikan. Është paralajmërim serioz. Do të ndodhte diçka e tillë vetëm nëse trupat serbe hyjnë në Prishtinë. Atëherë ti nuk e dëgjon asnjë këshillë sepse duhet ta mbrosh shtëpinë tënde e edhe kufirin tënd. Por ti një subjekt politik të cilin e ke, përfaqësuesit e një etnie, të cilën e ke në Kushtetutë me 10 vende të rezervuara vetëm për atë etni, gjuhën e të cilës e ke në Kushtetutë, si gjuhë zyrtare bashkë me gjuhën shqipe. Dhe i ke në të gjitha mekanizmat... nga niveli lokal e deri te më i larti. Republika e pavarur e Kosovës është krijuar me këtë kusht. S’e kemi krijuar ne me luftë si Tugjmani. E kemi bërë me avionët e NATO-s Republikën e Kosovës. Nuk mundemi tash një shpi që na ka ndërtuar dikush, me kazmë të nisim t’ia rrënojmë temelet”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklarata e SHBA-së duhet të merret me seriozitet pas lajmërimeve të mëhershme nga presidenti Donald Trump se e ka ndalur një luftë të re në Kosovë.