Arbëri

Miftaraj: Edhe Rashiqi, e sidomos Lista Serbe punojnë ditë e natë me minu rendin kushtetues

Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për drejtësi Ehat Miftaraj, ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV, se edhe Nenad Rashiq edhe Lista Serbe punojnë ditë e natë që ta minojnë rendin kushtetues. 

Sipas Miftarajt në të kaluarën partitë shqiptare nuk kanë rënë në siç tha – kurthin e forcimit të Listës Serbe.

“Lista Serbe, njësoj si Nenad Rashiq i shfrytëzojnë të gjitha privilegjet e Republikës së Kosovës që ia jep Kushtetuta e Kosovës, Kuvendi i Kosovës. Por edhe Rashiqi edhe Lista Serbe, punojnë ditë e natë ta minojnë rendin kushtetues juridik të Kosovës. Nëse flasim në folklor politik, patriotik mund t’i ndajmë, por të njëjtit, të 10 deputetët i kanë votat nga qytetarët serbë.”, deklaroi Miftaraj.


Sadiku: Deri në balotazh do të vazhdohet me këta filma 

Gazetari Naim Sadiku ka thënë se krejt bllokada e konstituimit të institucioneve është për shkak të zgjedhjeve lokale, e pas zgjedhjeve sipas tij do të zhbllokohet edhe çështja e Kuvendit. 

Ai ka shtuar se partitë i frikësohen humbjes në zgjedhje lokale për çka edhe nuk e kanë votuar nënkryetarin serb,   

“Është efekti elektoral. Janë zgjedhjet lokale dhe çdo vendim pro Listës Serbe paramendo çfarë armate zgjohet ndaj tyre në rrjete sociale, prandaj rrezikojnë të humbin komuna pas 12 tetorit ose pas balotazhit. Edhe balotazhi mund të jetë problematik, deri atëherë mund të vazhdojë...”, tha ai. 


Krasniqi: Kushtetuesja s'e ndaloi votimin e ndarë për dy nënkryetarët nga pakicat

Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, sipas gazetarit Besnik Krasniqi, e vulosi që votimi për nënkryetarët nga pakicat mund të bëhet në mënyrë të ndarë dhe jo vetëm në pako.

“Në një adresë është hedhur përgjegjësia edhe për bllokadën edhe për problemin edhe për situatën në të cilën jemi, e ajo është Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti por e vërteta është që Gjykata Kushtetuese që në këtë pjesën operative themi të aktgjykimit që e ka shpallë tregon dy gjëra shumë të rëndësishme që demantojnë pohime të tilla. E para është që votimi për dy nënkryetarët nga komunitetet joshumicë mund të bëhet në mënyrë të ndarë dhe jo në pako e që deri sot kanë thënë dhe e kanë kontestuar këtë formë votimi pra që është ndarë. Gjykata ka konstatuar që mund të bëhet pra edhe ndryshe. E dyta është që kandidati për nënkryetar të kuvendit mund të jetë edhe dikush jashtë subjektit kryesor të serbëve ose jashtë Listës Serbe.”, deklaroi Krasniqi në emisionin “Konfront” në KTV.

Sipas Krasniqit, me këtë i ka dhënë vulë zgjedhjes së Emilja Rexhepit nënkryetare të Kuvendit dhe se ajo se çfarë ka bërë kryeparlamentari nuk ka qenë antikushtetuese.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e panelistëve të tjerë.

Avokati Xhevdet Smakiqit tha se një gjë e tillë nuk është cekur sepse nuk është pyetur për një gjë të tillë.

“Ku e thotë që mund të bëhet votimi ndaras? Nuk e thotë. Vetëm për mungesën e nënkryetarit serb është bërë kërkesë dhe për të është trajtuar. Ti dëshiron ta nënkuptosh”, iu drejtua Smakiqi, Krasniqit.

Megjithatë, Krasniqi shtoi se Kushtetuesja nuk kufizohet vetëm në pyetjet që i adresohen dhe se votimi ndaras është legjitimuar kur në verdiktin e fundit është përmendur se kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar për shkak se nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.


Smakiqi: Albin Kurti s'do të jetë më kurrë kryeministër i Kosovës

Avokati Xhevdet Smakiqi është shprehur i bindur se Albin Kurti më nuk do të jetë kurrë kryeministër i Kosovës. 

Ai në emisionin "Konfront" në KTV, ka thënë se për këtë arsye edhe po zvarritet konstituimi i Kuvendit.

"Ja për televizionin tuaj po e them, Albin Kurti kurrë më nuk do të jetë kryeministër:, ka thënë Smakiqi.


Smakiqi: Në të ardhmen komuniteti serb mund ta bllokojë Kuvendin, fajtor Kurti

Avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se në të ardhmen komuniteti serb mund ta bllokojë Kuvendin e Kosovës. E për këtë, ai ka thënë se fajtor do të jetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka shtuar se nën ndikimin e Kurtit nuk u votua për nënkryetarin serb dhe sipas tij kjo mund të shfrytëzohet nga Lista Serbe në të ardhmen që ta bllokojë punën e Kuvendit.

“Me këto aktgjykimet që i kemi bë, edhe këtë të tretin, komuniteti serb  mund të lazdrohet në të ardhmen me paragrafin 6 të Rregullores mos me bë propozime, ta bllokon. Sepse u bë temë loja, tash komuniteti mund të thotë se nuk e propozojmë në këtë seancë po tjetrën dhe e bllokon”.


Smakiqi: Moskonstituimi, problem artificial – kriza është vetëm në kokën e Albin Kurtit

Avokati Xhevdet Smakiqi ka thënë se krejt kriza politike me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës është shkaktuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka shtuar se është e qartë se si zgjidhet një nënkryetar i Kuvendit, por se Kurti nuk ka dashur qëllimshëm konstituimin.

“Problemi është artificial, kriza është vetëm në kokën e një personi që është Albin Kurti që tenton me çdo kusht të mos e konstituojë Kuvendin, t’u hakmerret qytetarëve dhe ka një pengesë për të nga aleatët se nuk është partner i Perëndimit dhe është vetëm problem personal i Kurtit”, ka thënë ai në Konfront.

Smakiqi ka theksuar se dërgimi i lëndëve për interpretim në Gjykatën Kushtetuese është bërë për blerje kohe, pasi qartësia apo siguria juridike se si konstituohet Kuvendi ka ekzistuar. Sipas tij, kjo është bërë “për të shitur nacionalizëm të falsifikuar përballë Listës Serbe duke dëmtuar interesat jetike të Kosovës”.