Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka më terminale doganore private

Qeveria e Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria ka marrë rreth 15 vendime, prej të cilave edhe atë për dhënie në shfrytëzim të disa ngastrave kadastrale për Doganën. “Urime, të gjitha terminalet doganore i kemi publike”, ka thënë kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë, pas miratimit të këtij vendimi

Kryeministri Albin Kurti ka kumtuar të enjten në Qeveri se më nuk ka terminale doganore private. Për të gjitha hapësirat që ishin në shfrytëzim nga një numër kompanish, nuk është vazhduar kontrata dhe e fundit është një sosh që ka kaluar në menaxhim publik sivjet.

Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria ka marrë rreth 15 vendime, prej të cilave edhe atë për dhënie në shfrytëzim të ngastrave kadastrale për Doganën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Urime, të gjitha terminalet doganore i kemi publike”, ka thënë kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kjo është evidentuar edhe në njoftimin për mbledhjen e Qeverisë.

“(Është v.j.) Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për dhënien në shfrytëzim të ngastrave  kadastrale për Doganën e Kosovës. Bartja e së drejtës së shfrytëzimit bëhet me qëllim të shfrytëzimit nga Dogana e Kosovës për nevoja të ndërtimit të Terminalit Publik”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka marrë një numër vendimesh të tjera.

Ajo ka miratuar vendimin për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, e cila ka vepruar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe është zhvendosur në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Është miratuar edhe vendimi për themelimin dhe funksionimin e Sistemit për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe  Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor.

“Qëllimi i këtij vendimi është vendosja e sistemit kombëtar për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Agjendën e Reformave të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike, si dhe përcaktimi i fushëveprimit, përbërjes dhe metodave të punës së strukturave koordinuese ndërinstitucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për këtë instrument. Përmes këtij vendimi Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit emërohet koordinator Kombëtar i Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike”, është bërë e ditur në njoftim.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, me Qeverinë e Mbretërisë së Belgjikës. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i një baze ligjore dypalëshe, si dhe forcimi dhe thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale në mes të dy vendeve, “duke lehtësuar procedurën ligjore, për të mundësuar bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efikas dhe harmonizim të procedurave”.

Ekzekutivi ka miratuar edhe vendimin për përditësimin e Listës Shtetërore Strategjike për Mallra me Përdorim të Dyfishtë, duke iu referuar Listës së Bashkimit Evropian, për mallrat që vihen nën kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike, ose për arsye të të drejtave të njeriut.

Mbështetje i është dhënë edhe kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 55 specializantëve me vetëfinancim, si dhe të 37 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Në këtë mbledhje, qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike dhe strukturave përgjegjëse për të koordinuar, monitoruar dhe zbatuar dokumentet strategjike të Reformës së Administratës Publike.

“Themelimi, funksioni dhe përbërja e Këshillit të Ministrave të Reformës së Administratës Publike, do të jetë struktura kryesore përgjegjëse për sigurimin e zbatimit të dokumenteve strategjike të Reformës së Administratës Publike dhe do të ketë këtë përbërje: ministri i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, kryesues; Ministri i Ministrisë së Financave, anëtar; ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar; ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, anëtare; ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, anëtare; dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, anëtar”, thuhet në njoftim.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore “KBI Ereniku”, për nevoja të realizimit të projektit “Ndërtimi i Zonës Industriale të Mbrojtjes”. Vendime shpronësimi janë miratuar edhe për çështje të tjera.