Lumi Sitnica, zona në Lipjan, ka dalë nga shtrati në mëngjesin e së martës.
Ndonëse në zonën në fjalë ka mbrojtëse, kjo tregon se reshjet e fundit kanë ngritur nivelin e lumit. Ende nuk është raportuar për dëme në ndonjë lokacion.
Edhe para dy javësh në zonën e Lipjanit Sitnica pati dalë nga shtrati por pa shkaktuar dëme të theksuara, siç ndodhi nga vërshimet në komunat e tjera. E pavarësisht se dëme të theksuara pati në disa komuna, edhe kur janë bërë dy javë ende nuk ka bilanc për dëmet e shkaktuara. Dëme pati në Malishevë, Prizren, Lipjan, Shtime, Rahovec, Klinë Drenas, Deçan, Rahovec, Suharekë, Junik, Gjakovë, Fushë-Kosovë e Vushtrri.
Si pasojë e gjendjes nga uji në mëngjes është mbyllur edhe aksi rrugor, Ferizaj-Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë.
Nga Policia është thënë se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.
"Rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështirësuara atmosferike. U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës", ka thënë për KOHËN, zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli.
Ndërkohë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, edhe gjatë të martës priten reshje shiu vende-vende.