Qendra e Panaireve në Shkabaj, e ndërtuar nga buxheti i shtetit, menaxhohet prej pesë vjetësh nga një biznes privat. Sipas Kontratës, 65 ditë brenda vitit ajo mund të shfrytëzohet nga institucionet, por që nga lidhja e kontratës, në të janë mbajtur gjithsej 3 aktivitete. Burime të KOHËS treguan për dëmtim të objektit, e Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i kërkoi biznesit të bëjë rregullime dhe t’i përmbushë obligimet kontraktuale, vetëm pasi KOHA kërkoi informata për të.
Kjo Qendër e Panaireve që ndodhet në periferi të kryeqytetit është ndërtuar me para të shtetit për t’iu shërbyer bizneseve, por tash e pesë vjet shfrytëzohet nga një operator privat.
Në 2019-n, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka lidhur kontratë me kompaninë “Grand Media”, duke ia dhënë në shfrytëzim asaj objektin dhe tokën për një periudhë 15-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për 15 vjet të tjerë.
Për këtë periudhë shfrytëzimi kompania nuk ka pasur asnjë obligim monetar ndaj shtetit, përveç investimeve dhe mirëmbajtjes së objektit, për çka Ministria nuk e ka monitoruar asnjëherë.
Burime të KOHËS treguan se brenda objektit janë vendosur mure statike dhe pajisje të ndryshme. Dyshemeja e objektit ka pësuar çarje dhe nuk janë evituar problemet me rrjedhjen e ujit nga çatia, gjatë reshjeve.
Që nga 27 prilli, KOHA ka kërkuar informacione për lidhjen e kësaj kontrate dhe gjendjen e objektit, por një përgjigje e ka marr tek më 23 maj, pas ankesës së bërë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
E, vetëm tri ditë para se të përgjigjej në pyetjet të KOHËS, Ministria ka nisur një listë kërkesash ndaj kompanisë “Grand Media”.
“Deri më 1 qershor 2023 të zhvendosen muri statik dhe pengesat e tjera me qëllim të rritjes së hapësirës totale; të largohen pajisjet e vendosura në këndet e hapësirës së qendrës; të zhvendosen pajisjet dhe pengesat tjera nga kati i sipërm...; çmimorja e shërbimeve në dobi të shfrytëzimit të qendrës të jetë me çmime më të volitshme, në mënyrë që të përkrahen edhe bizneset start-up; të rregullohen dyshemeja, çarjet dhe të evitohet problemi në rast të pikimit nga shirat në çati; të rregullohet infrastruktura përcjellëse përgjatë Qendrës së Panaireve”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Mes kërkesave është edhe largimi i gomave prapa objektit, e të cilën gjë e bëri tek sot kompania.
Ministria e ka paralajmëruar se do të marrë masa ndaj saj nëse nuk plotësohen të gjitha kërkesat.
Pronari i kompanisë “Grand Media”, Enis Ujkani, ka refuzuar të flasë lidhur me kontratën dhe zbatimin e saj.
“A nuk po keni me çka me u marrë ju a? Pyete Ministrinë për këtë. Nuk jam i autorizuar që të flas”, ka thënë Enis Ujkani, pronar i “Grand Media”.
Sipas Kontratës që Ministria ka me kompaninë, 65 ditë brenda vitit objekti mund të shfrytëzohet nga institucionet për mbajtjen e panaireve. Por, që nga lidhja e kontratës, në këtë qendër janë mbajtur vetëm 3 aktivitete të tilla.