Arbëri

SHSKUK-ja dhe spitalet nuk mohojnë problemet me furnizim të materialit për dializë

Derisa menaxhmenti i SHSKUK-së dhe spitalet e përgjithshme mohojnë mungesën e materialit të dializës, burime të KOHËS thonë të kundërtën. Sipas burimeve, të hënën pati mungesë të preparatit acetat në Ferizaj. Tenderi i rregullt dhe ai emergjent për furnizim me material janë bllokuar

Spitalet e përgjithshme po përballen me furnizim jo të qëndrueshëm të materialeve për hemodializë, e edhe me mungesë në ditë të caktuara.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës e edhe menaxhmentet e spitaleve kanë pranuar vështirësitë në furnizim, por jo edhe mungesën e tërësishme.

E burime të KOHËS brenda institucioneve shëndetësore kanë konfirmuar se çdo ditë po përballen me telashe.

Një anëtar i stafit shëndetësor në Spitalin e Ferizajt, në kushte anonimiteti, ka treguar se mungesa e preparatit acetat për hemodializë po shkakton vonesa e edhe kufizime në ofrimin e shërbimeve.

“Edhe këtu është problem mungesa e preparatit acetat për dializë. Të hënën pasdite pacientët janë kthyer pasi nuk ka pasur. Të martën e të mërkurën janë furnizuar nga Prishtina veç sa për shërbim. Sot janë duke u dializuar, por acetati është në mungesë tërë kohën dhe janë duke e kursyer”, ka thënë një anëtarë i stafit shëndetësor në këtë spital.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Spitalit të Ferizajt, Minire Alilaj, nuk ka pranuar të flasë për problemin, duke thënë se pyetjet duhet dërguar në SHSKUK.

“Spitali i Ferizajt është njësi e SHSKUK-së dhe furnizimi bëhet nga barnatorja qendrore. Informacionet për këtë mund t’i merrni nga zyra për media pranë SHSKUK-së”, ka thënë Alilaj.

Sipas burimeve, mungesë të furnizimit të qëndrueshëm ka edhe në Spitalin e Pejës. Siç ka mësuar KOHA, ky institucion është furnizuar nga QKUK-ja të enjten, sa për të mbuluar nevojat edhe të së premtes.

Furnizimin në sasi të vogla e ka konfirmuar drejtori i këtij spitali, Fahri Hasani.

“Jemi të furnizuar me sasi të vogla, por nuk ka ndërprerje të programit të dializës as një ditë. Asnjë ditë nuk ka pasur ndërprerje. Furnizimi bëhet në bazë dyditore, treditore, derisa të zgjidhet ky tenderi, nuk e di çka është atje në Prishtinë, kështu që nuk ka ndërprerje të programit të hemodializës në asnjë moment, për asnjë pacient. Prej Prishtinës furnizohemi një herë në dy ditë, një herë në tri ditë, sa kanë ata sasi që na ofrojnë neve”, ka thënë Hasani.

Situatë e ngjashme raportohet edhe në Mitrovicë, por stafi i Repartit të Hemodializës nuk ka pranuar të flasë të enjten.

Në spitalet e Prizrenit, Gjakovës e Gjilanit kanë mohuar mungesën e materialit.

Në fakt, në Prizren të martën theksuan se kanë vështirësi në furnizim, e të enjten se furnizimi është i rregullt nga SHSKUK-ja.

“Të mërkurën kanë qenë të paraparë 102 pacientë në 3 ndërresa, Hemodializa në Prizren dhe Njësia në Rahovec. Shërbime kanë marrë të gjithë pacientët -102 pacientë. Dje kemi pasur material të mjaftueshëm për të gjithë. Sot i kemi pasur 99 pacientë për Hemodializën në Prizren dhe Njësia në Rahovec dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Nesër janë 106 dhe kemi material për të gjithë. Jemi duke u furnizuar nga SHSKUK”, thuhet në një përgjigje nga Spitali i Prizrenit.

Po ashtu edhe drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë se pacientët po e marrin trajtimin pa ndërprerje.

“Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, respektivisht në Repartin e Hemodializës, të gjithë pacientët kanë marrë shërbimin pa ndërprerje. Furnizimi me material të nevojshëm për hemodializë është duke u kryer në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Deri më tani nuk ka pasur ngecje apo mungesë materiali dhe puna në Repartin e Hemodializës po zhvillohet normalisht sipas programit ditor”, ka thënë Shala.

Njësojë si në Prizren, deklarata është ndërruar edhe në Gjilan. Drejtori i spitalit në këtë qytet, Afrim Cana, që dy ditë më parë i ka thënë KOHËS se nuk ka rezerva, të enjten e ka ndryshuar deklaratën.

“Ky furnizim është duke vazhduar në baza ditore, nuk është ndalur asnjëherë shërbimi i dializës për pacientë që janë në program në Spitalin e Gjilanit, ka vazhduar, po vazhdon në vazhdimësi në bazë të atij programi që është i paraparë”, ka thënë Cana.

Koha ka qëndruar të mërkurën në Spitalin e Gjilanit dhe në orën 14:00 nuk pati asnjë pacient duke e kryer hemodializën.

Në SHSKUK kanë konfirmuar se ka vonesa në furnizim, por mohuan se ato kanë ndikuar në ofrimin e shërbimeve. Po ashtu nuk treguan për sasinë në stok.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dje ka furnizuar të gjitha spitalet e përgjithshme me material për dializë, ky furnizim ka vazhduar edhe ditën sotme. Shërbimet nuk janë ndërprerë dhe nuk do të ndërpriten për pacientët, por ka mundur dje të ketë ndonjë vonesë në fillim të shërbimeve e që nuk ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, ndaj të cilëve kërkojmë mirëkuptim, duke i njoftuar se të gjithë do të marrin shërbimet e nevojshme mjekësore nga stafi i dializës së institucionit përkatës!”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Tenderi i rregullt për material të hemodializës është bllokuar pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit e tenderi emergjent i hapur para pak ditësh është anuluar, pasi dy kompani ofertuan me çmim më të lartë sesa vlera e parashikuar e tenderit.

Hemodializa u bëhet personave, veshkat e të cilëve humbin funksionin, e për pasojë u duhet ta pastrojnë gjakun 2 ose 3 herë në javë.