Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shprehet drojë për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet në Kosovë

OCatpus

Propaganda, dezinformimi dhe sulmet kibernetike janë listuar si mjete përmes të cilave Serbia mund të tentojë të ndikojë në zgjedhjet në Kosovë. Ekspertë të sigurisë dhe hulumtues të luftës hibride kanë paralajmëruar për ndërhyrje të mundshme. E ish-kryetarja e KQZ-së, Vladete Daka, e ka përmendur një rast kur platforma zgjedhore ishte cak i sulmeve

Në ditën e parë të fushatës zgjedhore është ngritur shqetësimi se Serbia mund të tentojë të ndikojë në procesin zgjedhor në Kosovë.

Në një tryezë të organizuar nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, drejtori i kësaj organizate, Arben Fetoshi, ka thënë se Serbia vazhdimisht përpiqet ta shtrijë ndikimin e saj në zgjedhjet në Kosovë përmes mekanizmave të ndryshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Duke përdorur një strategji të kombinuar destabilizimi përmes propagandës, presionit politik, rrjeteve kriminale, spiunazhit e instrumentalizimit të komunitetit serb. Çdo cikël zgjedhor shoqërohet me ndërhyrje në nivelin politik, informativ dhe të sigurisë duke identifikuar operacionet hibride nga mekanizma shtetërorë e joshtetërorë përfshirë strukturat e inteligjencës, mediat, rrjetet kriminale dhe instrumentet politike si Lista Serbe”, ka thënë Fetoshi.

Ndërkaq, hulumtuesi në “Hibrid.info”, Festim Rizanaj, është shprehur se narrativat që qarkullojnë në Serbi lidhur me zgjedhjet në Kosovë përfshijnë pretendime për largimin e komisionerëve të Listës Serbe nga vendvotimet, favorizimin e Nenad Rashiqit nga institucionet e Kosovës dhe tentativa për blerje votash përmes diasporës.

“Këtu pretendohet se KQZ-ja ka pastruar vendvotimet nga përfaqësuesit e Listës Serbe, me një qëllim të caktuar, për t’i lejuar ato, në njëfarë forme programet keqdashëse nga pjesa e partive politike shqiptare për t’i manipuluar zgjedhjet në dëm të partive dhe politikanëve serbë. Njëkohësisht, nën-narrativa tjetër është favorizimi i të preferuarave, këtu është figura kryesore Nenad Rashiq”, ka thënë ai.

E ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka treguar raste ndërhyrjeje gjatë kohës sa e ka drejtuar institucionin që i organizon zgjedhjet. Ajo ka treguar raste kur ka rënë faqja e KQZ-së.

“Është konstatuar në njëfarë forme që ka qenë një sulm kibernetik, nga grupe të ndryshme. Nuk na është treguar më saktësisht, por na është thënë që kanë qenë grupe nga Rusia të cilat kanë sulmuar rezultatet dhe ai sistem nuk ka funksionuar, pra janë shtrembëruar rezultatet, pra është ndërprerë transmetimi i rezultateve”, ka thënë Daka.

Javën e kaluar janë arrestuar 7 persona, përfshirë një asambleist të Listës Serbe, drejtor shkollash e institucionesh shëndetësore që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë në Graçanicë e Lipjan, nën dyshimet për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.

Të gjitha raportet e fundit ndërkombëtare për zgjedhjet në Kosovë, vërejtjet më të mëdha i kanë bërë për komunat me shumicë serbe, në të cilat është evidentuar e dhëna se votuesit u nënshtrohen edhe kërcënimeve.