Prej më shumë se tetë muajsh po zvarritet projekti i ndërtimit të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj në vlerë prej 1.2 milionë eurosh.
Kjo për shkak se AKP-ja ka ndërprerë punimet, pasi komuna nuk e kishte marrë pëlqimin nga ky institucion për ndërtimin e objektit në pronën e tyre.
Edhe Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë aktvendim për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit për t’ia ndaluar punimet Komunës.
Një kopje të këtij dokumenti e ka siguruar edhe KOHA në të cilin sqarohet se ky aktvendim ka për qëllim ta evidentojë rrezikun, i cili afekton të drejtat subjektive të palëve ndërgjyqësore.
“Pavarësisht gjëra të tjera që nuk më takojnë dhe nuk mund të flas. Por, më pak fajtorë janë nxënësit dhe nuk kanë të drejtë të dënohen fëmijët për shkak të gabimeve të të tjerëve. Këta duan cilësi, këta duan ambient, këta duan shkollim dhe duhet të zgjidhet ky problem. Dhe jo fëmijët të vazhdojnë në këtë gjendje çfarë jemi sot”, ka thënë Hajrije Nebihi, drejtoreshë e gjimnazit.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, është optimist për gjetjen e një zgjidhjeje me AKP-në.
“Mund të themi se lirisht se rreth 70 për qind të punimeve janë përfunduar në atë shkollë, por ja që ndodh nganjëherë që në aspektin e dokumentacionit, por po besojmë që shumë shpejt do ta marrim një pëlqim nga ana e AKP-së dhe do të fillojmë për të punuar sepse tanimë e kemi të ndarë edhe buxhetin për të përfunduar ajo shkollë, dhe është e nevojshme për Komunën e Ferizajt dhe për nxënësit e shkollës ‘Shaban Hashani’”, ka thënë ai.
Objekti i vjetër “Shaban Hashani” vazhdon të ketë probleme me ngrohje dhe probleme të tjera teknike shkaku i objektit të stërvjetruar.