Arbëri

Shehollit i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Fatmir Sheholli

Foto: Driton Paçarada - KOHA

Të dyshuarit për spiunazh Fatmir Shehollit, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj. 
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. 

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 07 nëntor 2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka theksuar Gashi në një përgjigje KOHËN. 

Sheholli është arrestuar më 9 tetor pas një aksioni të Policisë, Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Pas arrestimit, atij i është bastisur edhe banesa që ndodhet në kryeqytet.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Sheholli u rekrutua nga BIA serbe dhe se kishte detyra specifike, me të cilat ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik në Kosovë.