Arbëri

SHBA: Veprimet e VV-së ndaj Listës Serbe dëmtojnë stabilitetin dhe rikthimin e Dialogut Strategjik

Kurt-SHBA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada ka thënë se veprimet e tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës por edhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, i cili është pezulluar që nga shtatori i këtij viti për shkak të “veprimeve që kanë rritur tensionet nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti”.

“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë me shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në reagim.

 

Dy anëtarët e VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë mbledhjes së djeshme votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Shtatë anëtarë abstenuan, ndërsa dy të tjerë, anëtarja serbe dhe kryesuesi Kreshnik Radoniqi, votuan për. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk mori votat e mjaftueshme për certifikim.

Njëjtë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt dhe ato lokale më 12 tetor. Asokohe, KQZ-ja s’e pati certifikuar Listën Serbe, por ishte urdhëruar ta bënte një gjë të tillë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kritika për moscertifikimin e Listës Serbe janë dhënë edhe nga ambasadorët e Britanisë së Madhe e të Gjermanisë. Jonathan Hargreaves i Britanisë ka thënë se “veprimet e tilla kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”. Ndërsa ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, e ka quajtur sjellje penguese duke thënë se zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike.