Arbëri

Aliu: Remitencat, minë me sahat

Florin Aliu

Eksperti i ekonomisë, profesori Florin Aliu, vlerëson se remitencat janë si “minë me sahat” për ekonominë e  Kosovës. 

Aliu ka thënë se Kosova daljen e euros jashtë vendit, e kompenson kryesisht me remitenca që vijnë nga jashtë.

“Bilanci tregtar, importet më tepër se eksportet, nënkupton se vazhdimisht ke dalje të eurove jashtë vendit. E qysh e kompensojmë ne këtë? Me remitenca që vijnë, edhe një pjesë jo shumë signifikante, thuajse e parëndësishme, nga eksportet...Remitencat për shumë vite kanë qenë mbi 1 miliard euro, bazuar në rrugët zyrtare. Pjesa tjetër, duke hamendësuar, shkon afro 1.8 miliard. Kjo për mendimin tim, është një minë me sahat për ekonominë tonë”, ka thënë Aliu në “Konfront” të KTV-së. 

Aliu ka thënë se remitencat nuk janë të hyra siç i ka Shqipëria nga turizmi. 

“Çka nëse eventualisht bien tërësisht apo ulen për 50 për qind? A ka bë dikush analizë çfarë ndodh atëherë me ekonominë e Kosovës? Mendimi im është se remitencat që vijnë, shumë mirë që vijnë, por janë të pasigurta që vijnë në të njëjtën shumë në vitin vijues. Nëse ulen 30-40 për qind atëherë futemi automatikisht në krizë”, tha Aliu. 


Aliu: Nuk e di një rrugë, një reformë që është bërë në këtë mandat. Jemi keq

Eksperti i ekonomisë, profesori Florin Aliu, ka thënë se nuk i kujtohet ndonjë reformë ekonomike që është bërë gjatë Qeverisë Kurti 2. 

“Nuk është problemi se ata duan të kursejnë. Nuk e di një rrugë. I përmenda shtesat për fëmijë, formalizimin e tregut të punës. Por, nuk e di një rrugë që është bërë...Nuk më kujtohet një reformë ekonomike që është zhvilluar”, ka thënë Aliu në “Konfront”. 

Ai ka thënë se vendet tjera në rajon po zhvillohen. 

“Kryeministri i Shqipërisë ka mbledhur ekspertë, dijen e huaj, edhe ai konsultohet edhe me tjerë, para se t’i marrë vendimet. Është plotësim për të. Unë nuk e di se me kë konsultohen këta, si i marrin këto vendime”, tha Aliu. “Për mendimin tim, kompanitë publike, përkundër se jam i majtë, duhet të shkojnë drejt privatizimit...Nëse mendojmë se ne jemi mirë, atëherë është vetëkënaqësi e gabueshme”.


Shatri: Pagesat për konteste gjyqësore, Qeveria i ka kategorizuar si investime kapitale

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se pagesat që janë kryer për konteste të ndryshme gjyqësore janë kategorizuar nga Qeveria si investime kapitale. 

Sipas tij, ndonëse këto pagesa duhet të kryhen, nuk duhet të jenë kategori kryesore e shpenzimit.

“Nëse hyjmë në strukturë të këtyre investimeve kapitale del që kjo është shumë dëshpëruese sepse me shifra kur zbërthehet, del që 50 milionë – po e parafrazoj sepse duhet parë shifrën e vërtetë – janë paguar vendime gjyqësore, që ka pasur konteste rreth probleme të ndryshme, këta i kanë kategorizuar si investime kapitale. Ose blerja e tokave është kategorizuar si investim kapital, por jo investim në ndërtim. Nuk duhet të jetë kategoria kryesore e shpenzimit, pra duhet të jetë projekti kapital që po ndërtohet”, ka thënë ai. 

Shatri ka shtuar se nga 937 milionë euro që janë paraparë për investime kapitale këtë vit, në gjashtëmujorin e parë janë realizuar vetëm 247 milionë.

“Ajo që më bën më shumë skeptik për këto deklarimet se ka zhvillim dhe përparim janë të dhënat që lidhen me çdo parametër që është masë e zhvillimit.  Investimet kapitale për gjashtë muaj të këtij viti kanë rënë nga 937 milionë që janë paraparë këtë vit, vetëm 247 milionë janë realizuar. Brenda kësaj, 105 milionë janë nga komunat që janë realizuar, gati gjysma e këtyre mjeteve që janë realizuar janë nga komunat. Niveli qendror vetëm 138 milionë i ka realizuar, ka dështim në realizim të projekteve kapitale edhe në këta gjashtë muaj të këtij viti”, ka theksuar ai.


Aliu: Prej 2016-s Shqipëria u shkëput nga Kosova me zhvillim ekonomik

Eksperti i ekonomisë, profesori Florin Aliu, ka treguar se si nga viti 2016 Shqipëria dhe vendet e rajonit janë shkëputur dukshëm nga Kosova sa i përket zhvillimit ekonomik. 

Aliu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se krahasuar me vendet e rajonit Kosova është më së keqi dhe është një ndër vendet më të varfëra në Evropë së bashku me Moldavinë. Tha se këtë s’duhet harruar. 

“Deri më vitin 2016, të ardhurat për kokë banori të Shqipërisë me Kosovën ishin ngushtuar në vetëm 400 dollarë dallim. Ndërsa më 2024 arrin dallimi në gati 3000 dollarë. Këto vende janë shkëputur. Kanë ecur...Thuajse të gjitha vendet pas vitit 2016 kanë nisur me u shkëput. Ne vazhdimisht në mënyrë të përditshme konsumojmë politikë, tensione politike, tema të panevojshme e kur fokusi do të duhej të ishte ekonomia”, ka thënë Aliu. 

Ai ka përmendur reformën “Rilindja urbane” te Shqipëria. 

“Nënkupohet kthimi i qyteteve të Shqipërisë në qytete turistike. Mund të themi se Shqipëria ka deti, por po ka turistë edhe gjatë dimrit. Ka arritur ta kuptojë se ky është eksporti i tyre...Leku i Shqipërisë më 2020 ishte 126 në raport me euron. Sot është 91, tregon qëndrueshmërinë e ekonomisë së Shqipërisë. Është e vetmja valutë që i nënshtrohet tregut të lirë...Për katër vjet shkon në 50 apo 40 lekë për një euro. Nënkupton se zhvendosja mund të shkojë te 6000 dollarë dallim me ne. Ne s’mund të jemi të vetëkënaqur”, tha Aliu. 

Ai ka thënë se nga viti 2016 është dashur të bëheshin reforma më të thella strukturore në ekonomi, të vazhdohet me privatizimin e ndërmarrjeve, me ristrukturimin e ndërmarrjeve, të administratës shtetërore, e cila është e mbingarkuar. 

“Disa reforma janë të dhimbshme, por duhet me i bë. Politikisht janë të pamundshme pasi nuk e merr kush guximin se janë vota”, tha Aliu. 


Shatri: Për 1 mandat, Qeveria dështoi t'i realizojë 955 mln € nga fondi për investime kapitale

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka thënë se për një mandat Qeveria ka dështuar t’i realizojë 955 milionë euro nga fondi për investime kapitale. 

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Shatri ka thënë se ka pasur një dështim në realizimin e buxhetit të projektuar. 

“Sipas raporteve financiare të qeverisë, për katër vjet 955 milionë mjete nga kategoria e investimeve kapitale janë të parealizuara. 955 milionë të parealizuara për katër vjet. Me buxhete të aprovuara në Kuvend për investime kapitale, në këto katër vjet kanë qenë të parapara tre miliardë e 18 milionë së bashku, janë realizuar dy miliardë e 62 milionë, kanë mbetur pa u realizuar 955 milionë, që i bie 1/3-ta e fundit të investimeve kapitale”, ka thënë ai. 

Sipas Shatrit, projeksionet buxhetore kanë dështuar të përmbushen ndër vite.

“kemi një dështim qoftë në realizim të buxhetit të projektuar, p.sh, në vitin 2024 buxheti ka qenë i projektuar tre miliardë e 400 milionë i projektuar, është realizuar tre miliardë e 200 milionë. Që është 200 milionë më pak. Njësoj është viti 2023 që janë 600 milionë më pak. Prej tre miliardë e 400 milionëve janë realizuar dy miliardë e 800 milionë. Kështu janë në vitin 2022 një mungesë prej 400 mijë, e edhe viti 2021”, ka theksuar ai.