Serbia nuk ndryshon, falënderon Iranin për mosnjohje të Kosovës
Serbia nuk po e ndal fushatën anti-Kosovë. Të enjten, kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, ka falënderuar ambasadorin iranian në Serbi, Sadegh Fazli, për qëndrimin e Iranit për mosnjohjen e Kosovës.
Në një komunikatë për media nga Qeveria e Serbisë, është thënë e Macut i ka vlerësuar raportet me Iranin në nivelin më të lartë dhe ka theksuar se “Serbia është falënderuese që Irani nuk e njeh pavarësinë e vetëshpallur të ‘Kosovës’”.
Macut dhe Fazli kanë thënë se dy shtetet synojnë të rrisin bashkëpunimin në disa sektorë.
Serbia ditë më parë u kritikua në diskutimet e Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. Ajo u kritikua edhe se po u shërben interesave ruse në rajon. Kryetari republikan i këtij nënkomisioni, Keith Self, u shpreh se shpreson që Serbia më në fund ta njohë sovranitetin e Kosovës, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Edhe Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, ka thënë se ndonëse asnjë aktor i vetëm nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, “Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”.
Ai ka thënë se ka ardhur koha që SHBA-ja të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.
Joseph ka akuzuar administratën amerikane për qëndrim të pabalancuar në raportin Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se vetëm Kosova po mbahet përgjegjëse, teksa ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë.
Joseph ka thënë se SHBA-ja duhet ta vazhdojë mbështetjen ekonomike e ushtarake për Kosovën. Por, sipas tij, ndihma më e mirë do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të zgjidhte ngërçin. Madje sipas tij kjo do të zbehte edhe fushatën e çnjohjeve nga Serbia.
“Vetëm rruga drejt NATO-s do t’i jepte fund ngërçit, sepse Serbia s’do të kishte opsione të tjera. Fushata e çnjohjeve dhe varësia nga Rusia dhe Kina do të ishin të pavlefshme sepse anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm se anëtarësimi në OKB”, ka thënë ai.
Pos Josephit, edhe Max Primorac, bashkëpunëtor në qendrën “Margaret Thatcer për Liri”, për Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikë e Amerikë Latine, ka thënë se Kosova duhet të mbështetet nga SHBA-ja. Ai ka lavdëruar Kosovën për qasjen properëndimore teksa ka thënë se e ka lëvizur edhe ambasadën drejt Jerusalemit, siç i ka premtuar Trumpit.
“Çfarëdo marrëveshje edhe me Serbinë duhet ta përfshijë njohjen. Por Presidenti Trump duhet ta zgjerojë arritjen e marrëveshjeve në Ballkan me fokus në energji dhe tregti. Por në mënyrë që këto marrëveshje të jetësohen administrata aktuale duhet që sa më shpejt t’i emërojë ambasadorët e rinj atje”, tha Primorac.
Thirrje për largim të Serbisë nga orbita e Rusisë ka bërë edhe Luke Coffey nga Hudson Institute.
Të tre kanë thënë se SHBA-ja duhet të bëjë presion që Serbia të ndalë pengesat për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ata po ashtu kanë thënë se Serbia po pasivizon padrejtësisht adresat e shqiptarëve në Luginë e se po shkel të drejtën e gjuhës shqipe në institucionet e Serbisë.
Kosova njihet nga 120 shtete. Njohja e fundit erdhi në fund të tetorit nga Siria.