Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Reformimi” i çmimeve në art e kulturë me shkelje afatesh ende pa nisur

Ministria e Kultures

Kur janë bërë më shumë se dy javë prej kalimit të afatit për ndarjen e çmimeve vjetore në art e kulturë Ministria e Kulturës dhe Turizmit s’ka asnjë sqarim për këtë vonesë

Foto: Driton Paçarada

“Ceremonia organizohet më datë 10 qershor në një ambient me qasje për publikun...”, shkruhet prerazi në Rregulloren për Çmimet vjetore të artit dhe kulturës e miratuar në korrikun e vitit 2025, me të cilën Ministria e Kulturës reformoi krejt procesin e ndarjes së çmimeve, por që në fillim vetë ajo e shkeli atë. E njëjta rregullore si akt nënligjor po ashtu përcakton se Këshilli Kombëtar i Arteve i propozon ministrit të Kulturës emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse. Ky organ nuk ekziston ende

Ministria e Kulturës s’po ia del që të respektojë afatet që vetë i ka vendosur. Ky institucion ka reformuar krejt procesin e ndarjes së çmimeve vjetore në art e kulturë. Ka përcaktuar edhe datën e ndarjes së tyre. Por sivjet e ka shkelur atë. Me këtë rast ka shkelur edhe Rregulloren që përcakton se çfarë janë çmimet, si ndahen dhe kur ndahen. Për ministrin e Kulturës kjo nuk është hera e parë.

“Ceremonia organizohet më datë 10 qershor në një ambient me qasje për publikun, ku ftohen për pjesëmarrje përfaqësuesit e lartë të institucioneve, personalitete të kulturës dhe institucioneve relevante, organizata kulturore, personalitete që bëjnë nominimet dhe publiku i gjerë”, përcakton pika e dytë e nenit 19 të Rregullores për Çmimet vjetore të artit dhe kulturës e miratuar më 2025, kur sqarohet se kur ndahen çmimet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por kur janë bërë më shumë se dy javë prej kalimit të afatit që përcakton Rregullorja, Ministria e Kulturës dhe Turizmit s’ka asnjë sqarim për këtë vonesë. E, njëjta rregullore si akt nënligjor po ashtu përcakton se Këshilli Kombëtar i Arteve i propozon ministrit të Kulturës emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse. Ky organ nuk ekziston ende. Është detyrim ligjor i MKT-së që ta themelojë këtë organ. Buron nga Ligji për artin dhe kulturën që është në fuqi prej janarit të vitit 2024. Por tek sivjet është hapur thirrja për nominime të anëtarëve potencialë të këtij Këshilli. Madje, në mungesë të nominimeve, afati qe shtyrë deri më 1 qershor. 

Shkelja e afateve del të jetë e pakuptimtë për shumë akterë të skenës së pavarur kulturore, të cilët edhe mund të bëjnë nominime për fushat ku kanë veprimtari.

“E kuptoj, kur shtyrja ndodh një herë ose dy, ose 20 herë, por kjo çështje është bërë problem kronik i MKT-së. Ata, thjesht, janë gjithmonë 10 hapa mbrapa nevojave, kërkesave e synimeve të krijuesve e operatorëve kulturorë në Kosovë. Dhe kjo gjë është bërë e lodhshme, e padurueshme”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me Qendrën “Multimedia”.

Kurse Besa Luzha, e cila është drejtoreshë menaxhuese e “Chopin Piano Fest”, ka thënë se sigurisht që afatet duhet të respektohen nga të gjithë.

“E kuptoj që mund të ketë ndikuar cikli i zgjedhjeve të shumta dhe vonesat në administrimin e buxhetit e të tjera. Por shpresoj që shumë shpejt ato do të përfundohen, mundësisht brenda muajit qershor”, ka thënë ajo.

Sivjet MKT-ja afatin për nominime fillimisht e kishte deri më 12 prill. Më pas ky afat është shtyrë deri më 21 prill. Kurse më vonë është shtyrë prapë.

“Njoftohen të interesuarit se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shtyrë afatin për dorëzimin e nominimeve për ndarjen e çmimeve vjetore të artit dhe kulturës për vitin 2026. Afati i fundit për dorëzimin e nominimeve është data 01.06.2026. Zgjatja e afatit për dorëzimin e nominimeve bëhet për arsye se gjatë fazës së konkursit për dorëzimin e nominimeve për çmimet në fushën e artit dhe të kulturës janë disa fusha ku nuk janë pranuar nominime”, shkruhet në njoftimin e fundit.

Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur në raport me shkeljen e afatit për ndarjen e çmimeve.

KOHA ka raportuar se Ministria e Kulturës ka rikonceptuar krejt çmimet vjetore që ndan për art dhe kulturë. Kush më gjatë e kush më shkurt, krejt çmimet kanë krijuar traditë dhe janë njohur edhe për shkak të emrave që kanë bartur, emra të artistëve me nam në historinë e artit vendor e ndërkombëtar.
Por prej sivjet, asnjë çmim s’ka emër të veçantë, përderisa disa prej tyre janë rikonceptuar edhe sa u përket kategorive, duke mos pasur më vend të dytë e të tretë, por vetëm një çmim. Kurse sa i përket vlerës monetare, ajo është rritur për të gjitha çmimet.

Me konkursin e sivjetmë për çmimet vjetore në fushën e artit e kulturës, Ministria e Kulturës ka nisur së aplikuari aktin e ri nënligjor, Rregulloren për çmimet vjetore të artit dhe kulturës. Çmimi për dramë origjinale shqipe më s’do ta ketë emrin e aktores Katarina Josipi, ai për vepër jetësore në kinematografi s’do ta ketë emrin e Bekim Fehmiut, ai për letërsi atë të Azem Shkrelit, e ai për muzikë atë të Niketë Dardanit. Asnjë çmim vjetor për letërsi s’do ta ketë emrin që ka bartur deri vjet: për prozë “Anton Pashku”, për poezi “Ali Podrimja”, për letërsi për fëmijë “Vehbi Kikaj”, për kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” dhe për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”.

Rregullorja e re, e miratuar vjet nga asokohe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përcakton nëntë kategori çmimesh: çmimet në fushën e letërsisë, ato në fushën e arteve skenike, në fushën e kinematografisë, në fushën e muzikës, të artit pamor, në fushën e vallëzimit, në fushën e arkitekturës, çmimi vjetor për përfaqësim ndërkombëtar dhe ai për krijuesit dhe performuesit e rinj.
Te letërsia, nënkategoritë e çmimit nuk janë prekur në përmbajtje. E te çmimet e dramës ka ndryshuar “loja”. Pos traditës së emrit, s’do të ketë më vend të parë, të dytë e të tretë. Do të ketë veç një çmim dhe ai hyn në kategorinë e çmimeve në fushën e arteve skenike. Çmimi vjetor për dramën origjinale shqipe mban këtë titull. Në këtë kategori hyjnë edhe Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, ai për regjinë më të mirë, për aktrimin më të mirë dhe ai për kreativitet teatror. Për shfaqjen me sukses më të madh ndërkombëtar, s’ka më çmim të veçantë.

Te çmimet për kinematografi, pos largimit të emrit te Çmimi kombëtar për arritje jetësore që e mbante emrin “Bekim Fehmiu”, është shtuar edhe nënkategoria e Çmimit vjetor për kreativitet kinematografik.

Te çmimet e muzikës mungon vetëm emri “Niketë Dardani”, kurse te çmimet në artet pamore, pos heqjes së emrit të Muslim Mulliqit, janë shtuar edhe nënkategoritë për Çmimin vjetor për fotografi, ai për dizajn dhe multimedia dhe Çmimi vjetor për ekspozitën më të mirë, që i ndahet artistit dhe kuratorit.

Kategori më vete tash janë çmimet në fushën e vallëzimit. Në këtë kategori do të ketë Çmim kombëtar për arritje jetësore në fushën e vallëzimit dhe më pas Çmim vjetor për koreografinë më të mirë të valleve folklorike, Çmim vjetor për koreografinë më të mirë të vallëzimit bashkëkohor dhe Çmim vjetor për valltarin ose valltaren, apo balerinin ose balerinën më të mirë.

Sivjet risi është edhe Çmimi kombëtar për arritje jetësore në fushën e arkitekturës.

Çmimi vjetor për përfaqësim ndërkombëtar tash është kategori më vete dhe laureatët mund të jenë individët, grupet, institucionet ose formacionet që kanë arritur sukses të shquar në paraqitjet ndërkombëtare brenda vitit të fundit kalendarik. Sipas Rregullores së re, ky çmim nderon laureatët e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare apo arritjeve të jashtëzakonshme të shënuara në skenën ndërkombëtare të artit, të cilat kanë kontribuar në promovimin e kulturës dhe artit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sivjet po ashtu risi është edhe Çmimi vjetor për krijuesit dhe performuesit e rinj, me të cilin vlerësohen individët ose grupet artistike në fillimet e karrierës së tyre që kanë shfaqur aftësi të jashtëzakonshme dhe arritje të dukshme në fushën e artit që i përkasin, duke premtuar potencial serioz për zhvillim artistik në të ardhmen.

Nominimet për të gjitha kategoritë e çmimeve mund të bëhen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, institucionet qendrore të kulturës, institucionet lokale të kulturës, institucionet akademike dhe shkencore, asociacionet profesionale të artit dhe kulturës, organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet që veprojnë në kuadër të skenës së pavarur kulturore, individë nga skena e pavarur e kulturës dhe vetë krijuesit dhe performuesit.

Sa i përket vlerës monetare, ajo është dyfishuar. Për çmimin kombëtar për arritje jetësore shpërblimi është 10 mijë euro, kurse për çmimin vjetor 5 mijë euro.