Arbëri

BE-ja ia transferon Serbisë mbi 51 milionë euro, Kosova vonon me ngërçin në Kuvend

Bashkimi Evropian Kosova

Kryerja e kësaj pagese për Serbinë nënkupton se BE-ja ka konstatuar se Serbia e ka përmbushur parakushtin specifik për angazhim konstruktiv në normalizimin e raporteve me Kosovën.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se e ka kryer pagesën e parë në vlerë prej 51.7 milionë euro për Republikën e Serbisë, nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Fjala është për “parafinancimin”.

Kjo do të thotë se, sipas BE-së, Serbia e ka përmbushur edhe parakushtin specifik për sjellje konstruktive në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën. Kosova, ndërkohë, nuk e ka ratifikuar në Kuvend “marrëveshjen për kredi” me BE-në, dhe derisa të mos e bëjë këtë, nuk mund të marrë pagesa. Ndërkohë, ndaj Kosovës, BE-ja po i mban në fuqi masat ndëshkuese të vendosura në qershor të vitit 2023.

Për Kosovën dhe Serbinë, përveç kushteve të përgjithshme që vlejnë për të gjitha vendet e rajonit, parakusht është edhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve. Nëse BE-ja ka vendosur t’i bëjë pagesat e para për Serbinë, atëherë Shërbimi i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Komisioni Evropian kanë vlerësuar se sjellja e Serbisë në procesin e normalizimit ka qenë konstruktive. Komisioni Evropian, në një përgjigje për Kohën, ka thënë sot se ka konstatuar që Serbia e ka përmbushur kushtin specifik, dhe në këtë kontekst ka veçuar një deklaratë që Serbia e kishte bërë në tetor të vitit të kaluar, për ripërsëritjen e përkushtimit ndaj dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Sipas kësaj, BE-ja ka bërë një vlerësim pozitiv për t’ia kryer pagesën Serbisë, bazuar në një premtim që Beogradi ka dhënë në tetor të vitit të kaluar.

Kjo, për disa diplomatë evropianë, duket “diskutabile”, duke pasur parasysh se ka pasur disa veprime të Serbisë që vetë BE-ja i ka quajtur si shkelje të obligimeve nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Në BE thonë se janë të gatshëm të kryejnë edhe pagesat për Kosovën, por është Kosova ajo që nuk i ka përfunduar procedurat e saj të brendshme. Dhe Kosova, në këtë moment, as që mund t’i përfundojë këto procedura, pasi nuk ka Parlament të konstituar që do të mund ta ratifikonte marrëveshjen. Prandaj, derisa të mos konstituohet Kuvendi, Kosova nuk ka gjasa të marrë pagesat e para nga ky plan.

Këto marrëveshje kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.

BE-ja ka vendosur që të gjitha vendeve për të cilat janë miratuar agjendat e reformave dhe të rritjes t’u paguhet si “pagesë parafinancuese” një shumë prej 7 për qind të mjeteve të dedikuara për vendin përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnje e Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave.

Paketa në total kap vlerën prej 6 miliardë euro për të gjitha vendet e rajonit, për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë grante nga BE-ja (pa kthim), ndërsa pjesa tjetër do të ofrohet në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes. Mbi 250 milionë euro do t’i ndahen Kosovës si mjete pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori, Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit nga kjo paketë.

Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej 750 milionë euro, Serbia 1.58 miliardë euro, Bosnja e Hercegovina 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa Mali i Zi 383 milionë euro.