Institucionet e Kosovës nuk do t’i hapin dyert për të gjithë serbët e dorëhequr në fund të 2022-s, nga institucionet në veri. Në Polici kanë thënë se ata që e kanë zhveshur uniformën, nuk do të mund të shërbejnë sërish. E njohës të çështjeve të sigurisë kanë shtruar nevojën që gjyqtarëve dhe prokurorëve t’u bëhet verifikimi për të kaluarën, përpara vendimit të mundshëm për rikthim
Nuk do ta kenë mundësinë e rikthimit në punë policët serbë që u dorëhoqën në fund të 2022-s, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.
Në të njëjtën kohë ishin dorëhequr edhe gjyqtarë e prokurorë serbë. Por, një ditë më parë është kumtuar se ata kanë kërkuar të rikthehen në institucionet në veri.
E, zëvendësdrejtori i policisë në këtë rajon, Veton Elshani, i ka thënë KOHËS se policëve u janë shkëputur kontratat.
“Ata kanë ofruar dorëheqje. Dorëheqjet ua janë pranuar. Janë lëshuar vendimet për dorëheqje dhe është kryer puna te ne”, ka thënë ai.
Njëjtë si policia nuk patën vepruar Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, duke mos ua shqyrtuar dorëheqjet gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Edhe
U ruhen vendet gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr para 3 vjetësh
Juristi Anton Nrecaj ka thënë se Këshillat po vendosin standard të dyfishtë.
“Që nga fillimi është lënë hapësirë që në një të ardhme ata të kthehen. Por nëse merret vendim për rikthimin e tyre në vendin e punës, të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë dhe zyrtarëve në gjykata dhe në prokurori, natyrisht se do të krijonte një standard të dyfishtë, për shkak se të njëjtët janë larguar me vendim të ndikimit të politikës”, ka deklaruar Nrecaj.
E ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka shtuar nevojën që gjyqtarët e prokurorët serbë t’i nënshtrohen verifikimit para kthimit të mundshëm në vendin ku kanë shërbyer katër vjet më parë.
“Do të ishte pengesë në parim rikthimi i prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit administrative të komunitetit serb, në pozicionet që i kanë pasë para ofrimit të dorëheqjes, me të vetmin kusht që të ketë një verifikim, në qoftë se gjatë kësaj periudhe secili gjyqtar apo prokuror apo staf administrativ të ketë kryer eventualisht ndonjë vepër penale që bie ndesh me rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, dhe po ashtu që bie ndesh me pozicionin që provohet të rimerret përsëri”, ka thënë Hoxha.
Ndërkombëtarët, e veçmas BE-ja, kanë shtruar si kërkesë që t’u lihet mundësia e rikthimit të gjithë të dorëhequrve në 2022-n.
Edhe
Kryetarët në largim shprehin drojë për tentim rikthimin në gjendjen e mëparshme në veri
Juristi Nrecaj ka thënë se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial do të përballen me presionin e ndërkombëtarëve, nëse refuzojnë t’i rikthejnë në punë të dorëhequrit.
“Mospranimi i tyre nga ana tjetër do të shkaktonte një dëm tjetër për shkak se do të ushtrohej një presion i jashtëzakonshëm nga ndërkombëtarët në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, në mënyrë që të bëhej një balanc i integrimit ose gjithmonë me kërkesën e integrimit të komunitetit serb në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Nrecaj.
Qeveria në detyrë nuk ka dhënë një qëndrim përkitazi me kthimin e mundshëm të ish-punonjësve serbë të sistemit të drejtësisë, në institucionet në veri.
Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në 2022-n në Këshillin Gjyqësor ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.
Edhe
Policia hedh poshtë pretendimet e Dioqezës Rashkë-Prizren për “presion, diskriminim e frikësim të serbëve”
E një ditë më parë, nga KPK-ja dhe KGJK-ja u bë e ditur se të dorëhequr nga Prokuroria e Gjykata në Mitrovicë kanë tërhequr dorëheqjet e paralajmëruara më herët. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar se së fundmi ka pranuar rreth 20 emaile nga prokurorë dhe staf mbështetës nga radhët e komunitetit serb, ndërkaq Këshilli Gjyqësor nuk ka dhënë raport me shifra.
Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte nisur me marrëveshjet në Bruksel.