Ai ka theksuar se nuk ka përpjekje serioze nga ana e Kurtit për qeverinë dhe se nuk është i interesuar ta formojë qeverinë.
“Zvarritja na tregon se ai nuk ka pasur interesim ta formojë qeverinë të paktën jo me këto parti opozitare, ai ka pritë për një votë dhe ka kërkuar numrin e votave që do t’ia siguronte shumicën e madhe. Nuk po shohim përpjekje serioze nga ai për formim të qeverisë. Zvarritja është e menduar dhe e ka një qëllim strategjik që është t’i fajësojë partitë opozitare për mosbashkëpunim. Kjo ka qenë strategjia që në fillim”, ka thënë Bokshi në Konfront.
Kolshi: VV-ja i ka thyer të gjitha parimet mbi të cilat është ngritur
Melos Kolshi nga IKD ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka thyer të gjitha parimet mbi të cilat është ngritur.
Ai ka përmendur një prej këtyre parimeve të proklamuara nga VV.
“Një prej parimeve ka qenë që nuk negocion me partitë tjera në lidhje me pozitat para zgjedhjeve, ndërsa tash vetë po del po thotë që ‘ja kam ofruar këtë, atë’, që po i bie që ky veç ka negociuar me pozita. Kur flasim për parimet mund të themi me bindje se VV i ka thyer të gjitha parimet mbi të cilat është ngritur”.
Kafexhiu: E gjitha është skenar i Kurtit, LDK-ja duket e gatshme për koalicion
Mosformimin e institucioneve, gazetari Muharrem Kafexhiu e ka quajtur skenar të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Sipas Kafexhiut, Kurti që pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit ka vazhduar me skenarin “e zhagitjes” së formimit të institucioneve.
Ai ka shtuar se Kurti e ka ditur që as partitë e tjera nuk do të bashkëpunonin me të.
“Gjithçka po duket njëlloj skenar i Kurtit prej momentit që e ka marrë vesh rezultatin e 9 shkurtit. Kur e ka kuptuar që ka 40% po duket t’i ketë ardhë ky skenar i zhagitjes dhe mosformimit të institucioneve deri pas zgjedhjeve lokale. Sepse ai e dinte që asnjëra parti nuk do të bashkëpunonte me të”, ka thënë ai në “Konfront”.
Kafexhiu ka shtuar se LDK-ja është e gatshme për koalicion, por jo para balotazhit.
“Jemi dëshmitarë që ditëve të fundit ka pasur diskutime për përfshirjen e mundshme të LDK-së në koalicion, por nuk do ndodh para balotazhit. A është e gatshme LDK-ja të bashkojë forcat me Kurtin? Besoj që po, megjithatë për shkak të situatës pas 9 shkurtit dhe gjuhës së ashpër fillimisht prej Kurtit e më pas pala tjetër, e ka krijuar një insinuatë ku të dyja palët nuk mund të bashkëpunojnë pa shkuar në zgjedhje të tjera. Çka do të ndodh pas zgjedhjeve lokale? Shoh një bashkëpunim të madh. Fillimisht Kurti po tenton ta hedhë topin te partitë opozitare, por ato nuk janë të gatshme për shkak edhe të frikës sepse ky diskurs i konvenon maksimalisht Kurtit”.
Sadiku: Qytetarët s'duhet t'i lejojnë partitë ta poshtërojnë shtetin në këtë mënyrë
Akuzat mes partive dhe gjuha polarizuara, sipas gazetarit Naim Sadiku, i ka kushtuar shumë qytetarëve. Sipas tij zhgënjimi dhe ikjet masive të qytetarëve kanë ardhur edhe prej tyre.
Në emisionin “Konfront” në KTV, gazetari Sadiku ka deklaruar se skena politike më parë, paradite ka akuzuar tjetrin për tradhti, ndërsa pasdite ka nënshkruar koalicion.
“LDK e akuzonte PDK-në se ka kryer vrasje politike, PDK-ja pas luftës e ka kritikuar LKDK-në për tradhti. Por kjo gjuhë polarizuese i ka kushtuar shoqërisë. Zhgwnjimi i madh qytetar ka ndodhë nga ky lloj polarizimi. Ikja masive e qytetarëve ka ndodhur pikërisht për shkak të bashkimit të këtyre, sepse paradite i ke thënë dikujt tradhtar, e pasdite je ulë e ke nënshkruar një koalicion. Kjo gjuhë po ndikon dhe po vjen një tjetër zhgënjim i radhës, që tetë muaj nuk kemi institucione. Shumë sektorë të shtetit janë buzë greminës, shumica funksionojnë me ushtrues detyre. Që dy vjet e më shumë s’kemi kryeprokuror të shtetit. Ne nuk duhet t’i lejojmë ta poshtërojnë shtetin në këtë mënyrë. Kjo duhet ta vetëdijesojë qytetarin. Kjo është arrogancë e pashembullt”, deklaroi Sadiku.
Sadiku: As Kurti e as partitë opozitare s'janë të interesuara për formim të Qeverisë
Teksa e diela si afat i fundit për formimin e Qeverisë po afron, gazetari Naim Sadiku, ka thënë se nuk po shihen përpjekje nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për të krijuar shumicën.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Sadiku ka theksuar se të interesuara nuk janë as partitë opozitare dhe se sipas tij në këtë situatë, kalkulohet çdo lëvizje në raudin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Nuk po shohim as interesimin të vogël të Kurtit që t’i bëjë numrat ose të kontaktojë me partitë potenciale për të arritur marrëveshje. Skena politike na ka befasuar shpesh, mund të ndodhë befasi por aktualisht në çfarë rrethanash ndodhet Kosova nuk pritet të lëvizë asnjë nga subjektet politike. As Kurti nuk është I interesuar të lëvizë por hiç më pak nuk janë të interesuara as partitë opozitare. Kjo rrethanë lidhet pikërisht me çështjen e zgjedhjeve lokale, me raundin e dytë të zgjedhjeve që secila lëvizje kalkulohet në vota. Në çfarëdo forme që lëvizet i kushton njërës apo tjetrës parti. Balotazhi është tepër determinues, sa i përket asaj që është e pamundur të shpresohet se të dielën mund të kemi qeveri, me apo pa Kurtin kryeministër”, deklaroi Sadiku.
Kryeminsitri në detyrë Albin Kurti aktualisht ndodhet në Londër, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit. Mirëpo, një ditë më parë Kurti në një diskutim me bashkatdhetarët, e quajti të vështirë formimin e Qeverisë së re, me arsyetimin se atmosfera në Kosovë është bërë toksike.