Kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje prej 21.3 për qind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në muajt në vijim
Kompania për furnizim me energji elektrike KESCO ka kërkuar rritje prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, duke u thirrur në rritjen e kostove operative dhe nevojën për furnizim të qëndrueshëm me energji.
Në aplikimin e dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, KESCO ka kërkuar që të hyrat maksimale për këtë vit të jenë 528.78 milionë euro.
“FSHU vlerëson se reflektimi real i këtyre kostove në procesin tarifor është i domosdoshëm për të garantuar që shërbimi universal të mbetet funksional, i qëndrueshëm dhe i aftë për të përmbushur obligimet ligjore ndaj konsumatorëve. Nëse këto kosto nuk pasqyrohen në mënyrë adekuate, rrezikohet ndjeshëm furnizimi i qëndrueshëm. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se nënvlerësimi i kostove krijon vështirësi operacionale dhe përsëritja e një qasjeje të tillë do të rrezikonte të prodhonte sfida të ngjashme edhe në të ardhmen”, thuhet në kërkesën e KESCO.
Vitin e kaluar, KESCO pati kërkuar të hyra të lejuara maksimale 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja ia pati aprovuar 436 milionë euro.
Rritje të tarifave kanë kërkuar edhe KEDS-i dhe KOSTT-i.
KEDS-i ka kërkuar që të hyrat maksimale për të të jenë 235 milionë euro apo 55 milionë më shumë sesa që ia pati aprovuar vjet ZRRE-ja.
E kërkesa e KOSTT-it për të hyrat maksimale është 99 milionë euro apo rreth 11 milionë më shumë sesa ZRRE-ja ia pati aprovuar më 2025.
Zyrtarë të ZRRE-së kanë thënë se këto kërkesa do t'i nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen të arsyeshme.
Lidhur me këtë, kanë reaguar partitë deri tash në opozitë. Në PDK janë shprehur kundër rritjes, duke thënë se kjo do të jetë barrë e papërballueshme për qytetarët.
“PDK-ja kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Akuza ka adresuar edhe Hykmete Bajrami nga LDK-ja.
“E kam thënë edhe më herë, po e përsëris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve. Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK. Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjithë artikujve”, ka thënë Bajrami.
Në tri rastet e fundit kur u shtrenjtua rryma ishte në vitet 2022, 2023 dhe 2025.