Shumica e rrugëve magjistrale në Kosovë janë në gjendje të rëndë me gropa e plasaritje. Në disa nga këto rrugë nuk ka pasur fare ndërhyrje të shtetit e në disa të tjera punimet janë duke u zvarritur. Ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se ndër shkaqet kryesore të aksidenteve është edhe infrastruktura e keqe rrugore. Ata thonë se shkak i prishjeve kaq të mëdha të rrugëve është asfaltimi i tyre pa përmbushjen e kritereve
Segmenti rrugor QMI-Lipjan, që i përket magjistrales Prishtinë-Shtime, prej më shumë se një viti ka mbetur në gjendje të vështirë. Vitin e kaluar rruga ishte gërryer për t’u hequr një pjesë asfalti, mbi të cilën më nuk ka pasur kurrfarë intervenimi. Prej atëherë ka degraduar edhe më tej pjesa e asfaltit të mbetur duke u krijuar gropa të mëdha.
Ngasësit janë ankuar së rrugët e dëmtuara po u shkaktojnë prishje të makinave të tyre.
“Rruga është për çdo ditë e më shumë e dëmtuar. Rruga është qe dy vjet kështu prej Qeverisë së Albin Kurtit, asnjë ndryshim nuk e ka bërë sidomos në Komunën e Lipjanit, asnjë investim nuk është. Çdo ditë kemi prishje të veturave, sidomos kjo rruga prej Pofixit këtu e deri te rrethi atje në Davidovc është tmerr, tmerr është”, ka thënë Blerim Maliqi, qytetar.
Jo vetëm për rrugën në drejtim të Lipjanit ka ankesa të qytetarëve. Blerim Canaj ka përmendur dy rrugët që lidhin Gjilanin, përkatësisht me Ferizajn dhe Prishtinën.
“Komplet infrastruktura është e shkatërruar, shkoni shikojeni rrugën Gjilan-Ferizaj. Apo deri më tash Gjilan-Prishtinë. Nëse shkoni, deri vonë te Badoci ka qenë njëfarë rrethi, është një urë totalisht e shkatërruar, veç po presim se kur do të bjerë dikush”, ka thënë Canaj.
Eksperti i komunikacionit rrugor, Liridon Sejdiu, tregon arsyen e degradimit kaq të madh dhe kaq të shpejtë të rrugëve në Kosovë.
“Rruga ndahet në dy struktura. Struktura e epërme dhe struktura e poshtme. Dhe, nuk i jepet rëndësi të madhe sidomos strukturës së poshtme, për shkak se e tërë ngarkesa e automjeteve bie në strukturën e poshtme dhe kjo pastaj mund të krijojë plasaritje në sipërfaqen qarkulluese”, ka theksuar Sejdiu.
Të tilla probleme me plasaritjet e gropat ka edhe magjistralja Prishtinë-Ferizaj, ajo Ferizaj-Gjilan, si dhe Gjilan-Bujanoc.
Ndonëse janë bërë përpjekje që të intervenohet në disa magjistrale të tjera që lidhin Prishtinën me qytetet përreth, punimet vazhdojnë me vjet, por puna nuk po kryhet, siç është rasti me ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë. Në këtë aks rrugor ka më shumë se 7 vjet që kanë nisur punimet dhe ende nuk kanë përfunduar. Në disa segmente ka devijim nga rruga për shkak të urave të papërfunduara. Derisa, punimet që do të duhej të mbërrinin deri në Prishtinë, janë ndalur në afërsi të fshatit Lluzhan.
Stërzgjatje të punimeve ka edhe në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë.
Gjendjen e përgjithshme të rrugëve në Kosovë, eksperti i komunikacionit, Liridon Sejdiu e vlerëson në nivel jo të duhur, çka, sipas tij, ndikon në shtimin e aksidenteve që mund të përfundojnë edhe me fatalitet.
“Në përgjithësi, segmentet rrugore apo infrastruktura rrugore në Kosovë nuk është në nivelin e duhur. Kjo, duke pasur parasysh që në segmentet rrugore, sidomos ato të nivelit më të lartë, domethënë ato që janë rrugë nacionale kanë fyte të ngushta. Domethënë kalimi prej dy shiritave qarkullues në një shirit qarkullues për kah të lëvizjes. Kjo domethënë ndikon negativisht, sidomos në rritjen e probabilitetit të ndodhjes së aksidenteve, të cilat mund të rezultojnë edhe me fatalitet”, ka deklaruar Sejdiu.
Rrugët e dëmtuara janë nga shqetësimet kryesore të deputetëve gjatë pyetjeve parlamentare në Kuvend që i drejtohen ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Për të gjitha këto rrugë, shumica të nisura e të lëna në gjysmë, KOHA i ka kërkuar sqarime Ministrisë që drejton Aliu, por nga ky dikaster qeveritar nuk kanë kthyer përgjigje.