Ka më shumë se një vit qëkur kanë nisur punimet në rrugën, e cila u cilësua nga Komuna e Prishtinës si një rrugë që do të ndikonte direkt në përmirësimin e komunikacionit për të gjithë “Velaninë”, duke bërë qasje më të lehtë nga kjo lagje në drejtim të Rrugës B.
U prenë edhe drunj për fillimin e këtyre punimeve, që sot kanë mbetur në gjysmë.
Punimet e kësaj rruge u nisën pa u dhënë pëlqimi e pa u zgjidhur çështja e pronësisë së tokës në të cilën do të kalojë ajo.
Një pjesë e asfaltit është shtruar, përderisa në pjesën tjetër janë ndaluar punimet nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”, pasi toka është në pronë të tyre.
“Kërkesa për informacion lidhur me infrastrukturën është bërë nga KRU ‘Prishtina’ dhe u është dhënë informata për rrjetin e gypave të ujësjellësit. Megjithatë, nuk është dhënë pëlqimi për zhvillimin e punimeve në atë zonë, për shkak të rëndësisë së infrastrukturës së ujësjellësit që ndodhet aty. Në atë zonë gjenden rezervuarët kryesorë, të cilët sigurojnë furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Ujësjellësit.
Pavarësisht se çështja pronësore nuk është zgjidhur ende dhe makineritë janë larguar nga vendpunishtja, drejtori për Investime Kapitale, Sokol Havolli, ka thënë se projekti është në fazën përfundimtare të realizimit.
“Sa i përket rrugës që lidh lagjen “Velania” me Matiçanin, projekti është në fazën përfundimtare të realizimit. Aktualisht, Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së Investimeve Kapitale është në koordinim me Ujësjellësin për zgjidhjen e disa çështjeve pronësore dhe teknike, që janë të nevojshme për vijimin e punimeve. Pas përfundimit të këtyre procedurave, do të realizohen rreth 25% e punëve të mbetura, me qëllim që rruga të përfundojë plotësisht dhe të vihet në shfrytëzim për qytetarët sa më shpejt”, ka thënë Havolli.
Këto nuk janë punimet e para që Komuna e Prishtinës i nis pa leje. Pa pëlqim u nis edhe ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush” e ndërtimi i ishullit që lidh “Arbërinë” me Pallatin e Rinisë.