Qeveria në detyrë ka marrë vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se për gratë lehona të papunësuara shtesat janë rritur nga 170 euro në 325.9 euro, të cilat i përfitojnë për 6 muaj.
Ndërkaq për gratë lehona të punësuara, shtesat janë rritur nga 170 euro në 325.9 euro, të cilat i përfitojnë për tre muajt e parë pas lindjes, krahas pagesës prej 70 për qind të pagës për gjashtë muajt e parë që paguhet nga punëdhënësi.
Qeveria ka rritur edhe pagesën për pushimin e lehonisë nga 223 në 319.5, e cila përfitohet për tre muaj, pas periudhës gjashtëmujore që paguhet nga punëdhënësi.
Ai ka thënë se lajmi i tretë i mirë është për shërbyesit civilë. Sipas tij, pagat e shërbyesve këtë vit rriten dy herë nga 55 euro.
“Rritja e parë ka filluari së zbatuari nga janari, rritja e dytë do të filloj nga korriku. Kështu pagat mujore për mbi 80 mijë zyrtarë publikë do të jenë për 110 euro më të larta se sa ishim në dhjetor të vitit 2024. Paga mesatare do të arrijë në 865 euro në muaj (për zyrtarët publikë)”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me Ligjin e Punës parashihet që për çdo grua që lind, në 6 muajt e parë, punëdhënësi obligohet që të mbulojë 70 për qind të pagës ndërsa pjesa tjetër e pushimit të lehonisë mbulohet tre muaj me pagesë të 50 për qind të pagës mesatare nga qeveria.
“Deri më tani aktualisht paga referencë ka qenë 223 euro për gratë e punësuara, kjo po rritet në 319.5 euro”, ka thënë ai.
Miratohet vendimi për hartimin e planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Qeveria gjatë mbledhjes e miratoi edhe vendimin për hartimin e planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kohë më parë ishte prezantuar plani për këtë kompleks, që pritet të shkojë rreth 8 milionë euro, në një hapësirë prej 450 hektarësh.
Po ashtu, gjatë mbledhjes u miratua vendimi preliminar për shpronësim të pronave të paluajtshme për projektin “Ndërtimi i Qarkores së Jashtme të Qytetit të Gjilanit dhe Kyçja e Rrugës Nacionale N25.2 dhe N25.3 deri te autoudha R7.1”.
U miratua edhe vendimi për shpronësim të pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Mekanizmi”, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP-ja.