Arbëri

Rriten kërkesat për azil nga Kosova, BE-ja kërkon më shumë ndërgjegjësim

bashkimi evropian - kosova, flamujt

Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka vazhduar t’i përmbushë obligimet që rrjedhin nga liberalizimi i vizave, por ka kërkuar përpjekje shtesë, sidomos në informimin e qytetarëve se lëvizja pa viza nuk duhet të keqpërdoret për kërkesa të pabazuara për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Në raportin vjetor për liberalizimin e vizave, Komisioni shpreh shqetësim për vazhdimin e keqpërdorimit të këtij regjimi, duke theksuar se në disa raste, përfshirë Kosovën, është shënuar rritje e kërkesave për azil. Sipas të dhënave për vitin 2024, nga shtetasit e Kosovës janë regjistruar mbi 6.700 kërkesa për azil, një trend në rritje krahasuar me vitin paraprak, ndonëse kjo shifër mbetet më e ulët se ajo e Shqipërisë, ku trendi është në rënie.

Komisioni Evropian thekson se parandalimi i kërkesave të pabazuara për azil duhet të mbetet prioritet për të gjitha vendet që gëzojnë liberalizimin e vizave, veçanërisht për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Në këtë kuadër, kërkohet bashkëpunim më i ngushtë i autoriteteve të Kosovës me vendet anëtare të BE-së për adresimin më efektiv të këtij problemi.

Raporti vlerëson fushatat e deritanishme të ndërgjegjësimit të zhvilluara nga autoritetet kosovare, por kërkon vazhdimin dhe forcimin e tyre, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë më mirë të drejtat dhe obligimet që burojnë nga liberalizimi i vizave. Po ashtu, Kosova kërkohet të përafrojë më tej regjimin e saj të vizave me atë të BE-së, për të parandaluar migrimin ilegal përmes vendeve të rajonit.

Komisioni Evropian kërkon gjithashtu masa më të forta kundër lëshimit dhe përdorimit të dokumenteve false, rritje të kapaciteteve për zbulimin e falsifikimeve dhe zbatim të plotë të ligjit të ri për kartat e identitetit. BE-ja rikujton se liberalizimi i vizave nuk nënkupton fundin e obligimeve, por kërkon përmbushje të vazhdueshme të standardeve të dakorduara.