Banorët e fshatit Lubavec të Skënderajt po ndihen të rrezikuar nga rrëzimi i disa shtyllave elektrike pranë oborreve të tyre. Erërat e forta të ditëve të fundit i kanë dëmtuar ato, duke i lënë pa rrymë banorët e kësaj ane.
Ata thonë se e kanë njoftuar KEDS-in për gjendjen e këtyre shtyllave, por që nuk është intervenuar.
Këto shtylla, sipas tyre, po rrezikojnë edhe fëmijët të cilët kalojnë këtë rrugë duke shkuar në shkollë, raporton KTV.
Adem Fetahu, banor i fshatit, thotë se që nga paslufta janë duke u përballur me këtë gjendje, shkaku i vjetërsisë së shtyllave.
Ka disa vite që këta banorë kanë bërë kërkesa në KEDS për ndërrimin e këtyre shtyllave, shkaku i rrezikut permanent që iu kanoset nga to. Përveç shtyllave, ata kanë kërkuar edhe vendosjen e një trafoje, pasi tensioni i rrymës, sipas tyre, është shumë i ulët.
Shkaku i mosintervenimeve nga ana e KEDS-it, në atë pjesë janë bërë edhe improvizime të shtyllave nga ana e banorëve. Në KEDS e arsyetojnë këtë, duke thënë se banorët po ndërtojnë shtëpi pa marrë leje dhe pa pasur shtrirje të rrjetit.
E konfirmojnë se gjendja e rrjetit nuk është e mirë. Por thonë se nuk kanë kapacitete për më shumë intervenime.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se shtyllat që paraqesin rrezik do t’i ndërrojnë menjëherë.
Në kontratën me Qeverinë, KEDS-i ka marrë përsipër që për 15 vjet të investojë 300 milionë euro. Brenda një viti ajo ka investuar vetëm 20 milionë euro. Gjatë 20180-s kishte të planifikuar që të investonte në rrjet 28 milionë euro, por investoi vetëm 21 milionë.